Nishani, akuza mazhorancës: Po harton në mënyrë të njëanshme reformën në drejtësi

03/06/2015 00:00

Në prag të përmbylljes së fazës së parë të reformës në drejtësi, në tryezën e radhës, në të cilën ndodheshin jo vetëm palët e interesuara, por edhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, Presidenti Bujar Nishani ka shpërthyer me kritika ndaj mazhorancës.

Nishani foli në mbledhjen e dytë të Komitetit të Aktorëve të Interesuar, EURALIUS IV, me temë: “Konsolidimi  Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”. Presidenti e mbajti fjalën siç edhe të tjerët gjatë takimit me dyer të mbyllura, ndërkohë që zyra e shtypit publikoi deklaratën e cila është pritur me replika nga kreu i Komisionit të Posaçem Parlamentar, Fatmir Xhafa.

Për Presidentin në rolin e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, reforma po zhvillohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca dhe pa përfshirjen e opozitës.

Për Presidentin fakti që reforma do të shoqërohet me ndryshime kushtetuese, pjesëmarrja e opozitës në të është e domosdoshme. Presidenti Nishani ka shprehur shprehur rezervat e tij për Komisionin e Posaçëm Parlamentar.

“Ky Komision asistohet nga një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë dhe që në mbështetje të Komisionit dhe grupit të ekspertëve është ngritur një Sekretariat, në të cilin sipas kërkesës së Komisionit të Posaçëm, edhe Institucioni i Presidentit të Republikës ka dërguar përfaqësuesin e vet, por që nuk rezulton të jetë ftuar ndonjëherë. Jam vënë në dijeni në lidhje me përbërjen e këtij Komisioni, të grupit të ekspertëve dhe të faktit që, opozita e ka bojkotuar pjesëmarrjen në këtë Komision pasi nuk është dakordësuar me përbërjen dhe mënyrën e organizimit të punës nga ana e Komisionit”- deklaron Presidenti.

Kreu i shtetit ka shprehur edhe rezervat e tij lidhur me miratimin e ligjeve në mënyrë të përshpejtuar, për të cilët, sipas tij, ka pasur kritika edhe nga Bashkimi Europian.

“Më lejoni të shpreh rezervat e mia, që pavarësisht kritikave të Bashkimit Europian, përmes progres-raportit më të fundit në drejtim ‘miratimit të ligjeve në mënyrë të përshpejtuar, pa një proces gjithëpërfshirës dhe tërësor reformash bazuar në konsultime të gjera dhe nën orientimin e Komisionit të Venecias’, vazhdohet me praktika të tilla që miratohen ndryshime ligjore të përshpejtuara, pa u konsultuar me Komisionin e Venecias, si rasti i ndryshimeve ligjore në lidhje me Gjykatën e Lartë. Kjo nismë erdhi në një kohë që Gjykata e Lartë është pjesë e paketës të reformës në drejtësi dhe në një kohë kur Kuvendi pretendonte që në 6 muaj Komisioni i Posaçëm të kishte përfunduar punën e tij për analizimin e gjendjes aktuale të sistemit të drejtësisë, hartimit të dokumentit strategjik për objektivat e reformës në drejtësi, si dhe propozimin e një pakete ligjesh, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese”, tha Nishani.

Kreu Komisionit të Posaçëm Parlamentar, Fatmir Xhafa ka replikuar në përfundim të takimit.

“Nuk jam personi që jam i autorizuar të komentoj diskutimet që bëhen në një tryezë pune. Sa i përket a kam pasur përfaqësues të Presidentit në tryezë, më vjen keq që e bëni këtë pyetje. Hapni kronikat tuaja dhe do ta shihni, ka pasur apo nuk ka pasur”- deklaroi Fatmir Xhafaj.

“Kemi qenë dhe jemi në pritje të një përgjigjie nga mazhoranca lidhur me propozimin e opozitës për të pasur një barazi dhe bashkëdrejtimin, pas pasur në asnjë moment të drejtën e vetos. Qëllimi ynë është vetëm që ligjet për sistemin e drejtësisë të bëhen transparente, nën mbikqyrjen ndërkombëtare dhe të jenë në shtratin e rrugës europiane, dhe jo në rrugën e shkurtër”- u shpreh Eduard Halimi, deputet i Partisë Demokratike.

Në mbledhjen e drejtuar nga shefi i Misionit të EURALIUS, Dr. Rainer Deville, ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin u ka thënë palëve se reforma duhet të kryhet nga aktorët vendas, ndërkohë që ndërkombëtaret asistojnë me mbështetje.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta