Mbështetja për sipërmarrësit, Rama: Politikat fiskale të qeverisë, lehtësi

03/06/2015 00:00

Një fabrikë e prodhimit të këpucëve në qytetin e Kavajës është vizituar nga kryeministri Edi Rama. Pronari i saj Alfred Doraci i tha kryeministrit se, falë politikave nxitëse fiskale të qeverisë, po shton  numrin e punonjësve dhe  kapacitetet prodhuese.

Elvis Rroshi, Kryetari Bashkisë Kavajë: Është një fabrikë moderne, një fabrikë që do mbajë 600 punëtorë. Kemi një kënaqësi të madhe që biznesi Kavajës ecën përpara që të zhvillojë ekonominë e qytetit.

Alfred Doraci, sipërmarrës: Ne jemi fason. Kemi pasur shumë probleme nga ana profesionale, po ky ligj na ka ndihmuar shumë, sepse i marrim 3 muaj dhe i mësojmë. Duke i mësuar 3 muaj na lehtëson. Nga fondi punësimit kemi pasur një favor shumë të madh për arsyen e vetme, sepse vetëm sot ne kemi marrë 34 vetë në punë. Shkollat profesionale zero. Kërkojmë shkollat profesionale, sepse kjo na ndihmon, na ul koston. Fillimi është kosto më e vështirë tek çdo lloj aktiviteti. Është investim shumë i madh. Perspektiva është për 600 punëtorë, në një turn. Perspektiva është që shumë njerëz të punësohen. Kavaja në këto 25 vjet, nuk është parë me sy.

Kryeministri Edi Rama: Arsimin profesional e kemi prioritet. E kemi me modelin gjerman. Gjysma e kohës në shkollë, gjysma e kohës në fabrikë gjatë javës, jo vetëm teori. Ndërkohë kjo ju ndihmon ju dhe gjithë fabrikat e tjera që t’i merrni në punë dhe t’i përgatisni ndërkohë që ata janë në shkollë. Pastaj në momentin që mbarojnë shkollën, ju i keni gati. Kryetari më tha që së shpejti hapet edhe një fabrikë tjetër, një fabrikë rrobaqepësie.

Elvis Rroshi, kryetar i Bashkisë Kavajë: Do të punësohen 200 punonjës. Është bërë kontrata para një muaji dhe muajin që vjen fillon fabrika. Kështu do të vazhdojmë lidhjen midis investitorëve të huaj me qytetin e Kavajës.

***

Në një tjetër fabrikë, atë të përpunimit të qumështit, sipërmarrësi Aqif Çela thotë se paketa fiskale ka qenë një ndihmë shumë e madhe. Heqja e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve, sipas zotit Çela, ka bërë që ai në biznesin e tij pas shumë vitesh aktivitet për herë të parë të arrijë të blejë pajisje të reja të standardeve europiane.

Aqif Çela, sipërmarrës: Tani pres dy makineritë që vijnë nga Vjena dhe letrat i kam bërë gati. Është një ndihmë e madhe.

Kryeministri Edi Rama: Janar- maj të 2015-ës jemi 38% më lartë me importet e makinerive sesa viti i kaluar.

Aqif Çela, sipërmarrës:  Ne punonim me makineri të përdorura nga Europa, tani po investoj për makineri të reja. Është hera e parë, viti i parë që po investoj për makineri të reja, me heqjen e TVSH-së. S’është pak se i thonë 300 mijë euro, që i thonë 60 mijë euro heqje e TVSh-së. Shumë shpejt kemi për të bërë një repart tjetër për prodhimin e djathit.

Kryeministri Edi Rama: Me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe me bankat e nivelit të dytë, dhe me ndihmën e AZHBR-së do të futet shteti për të garantuar riskun dhe për të bërë një ulje drastike të interesit. Do të hyjmë me 50% sipërmarrësi, 50% bankat, por garancia shtetërore dhe interesi minimal do të jetë e gjitha e fokusuar tek grumbullimi, te agro-përpunimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB