Studimi për rrjetin e gazifikimit; identifikim të nevojave të brendshme dhe infrastrukturë

02/06/2015 00:00

Shqipëria nis zyrtarisht hartimin e dokumentit, që do të orientojë zhvillimin e infrastrukturës së gazit në vend, pasi gazsjellësi Trans-Adriatik të nisë punën.

Masterplani, i financuar nga Komisioni Europian me një shumë prej 1.1 milionë eurosh, shqyrton aspektet teknike, ligjore dhe ekonomike të shpërndarjes së gazit natyror, në disa rajone të Shqipërisë.

Studimi do të shohë mundësitë që ka vendi për furnizimin me gaz përmes Trans-Adriatik/TANAP, tubacionit Jon-Adriatik pas ndërtimit, magazinimin potencial nëntokësor të gazit, terminalin e Gazit të Lëngshëm Natyror, por edhe burimet potenciale të gazit brenda vendit.

Studimi, po ashtu, do të bëjë një parashikim të kërkesës për konsum, duke marrë në konsideratë çdo sektor të madh në vend, përfshirë shërbimet dhe industrinë, si dhe një vlerësim të kalimit nga energjia elektrike te gazi, duke përcaktuar çmimin e tij në tregjet me pakicë dhe shumicë.

Ministria e Energjetikës bën të ditur se, do të kryejë një itinerar dhe plan urbanistik të sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes, që synon ndërtimin e rrjetit të gazifikimit. Masterplani do të kryhet nga ekspertë ndërkombëtarë, në bashkëpunim me ata të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, dhe pritet të përfundojë në nëntor të 2016-s.

Ndërkaq, TAP nis këtë muaj punimet në vendin tonë, ku shtrihet në një gjurmë prej rreth 210 km në pjesën tokësore dhe 37 km në atë detare. Seksioni nis në Bilisht-Qendër, në Qarkun e Korçës, dhe mbërrin në Detin Adriatik, në Qarkun e Fierit.

Ministria e Energjisë bën të ditur se është rënë dakord, që gazi të mos kalojë tranzit, por të ketë 3 pika daljeje, një prej të cilave me shumë gjasa do të jetë në Fier, për shkak të afërsisë me TEC-in e Vlorës, i cili mund të shfrytëzojë gazin natyror për prodhimin e energjisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB