KQZ, debate për kandidatët e dorëhequr. Numëruesi i katërt i kalon PR-së

02/06/2015 00:00

Rasti i Kurbinit nuk ishte i fundit që futi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në debatin e dorëheqjeve pas mbylljes së afatit zyrtar të regjistrimit.

Disa raste të tjera janë shqyrtuar nga trupa më e lartë zgjedhore, ku pavarësisht se katër anëtarët që janë kundër tërheqjes nga gara pas afatit, i dhanë zgjidhje të ndryshme.

Kandidatit të frontit të majtë në Kuçovë nuk iu pranua dorëheqja, por nuk ndodhi e njëjta gjë me kandidatin e pavarur në Memamaliaj. Për shkak se në këtë njësi ka plot shtatë kandidatë, numër që ndikonte në konfigurimin e fletës së votimit, iu pranua dorëheqja.

Tërheqja nga gara iu pranua edhe kandidatit të partisë Mega në Sarandë, ku ishte anëtari i propozuar nga LSI që bashkoi votat me ata të propozuar nga opozita, që i dha shumicën e votave kësaj dorëheqjeje, ndërsa dorëheqja e kandidatit të së njëjtës forcë politike në Dropull, u pranua gjithashtu.

Por rasti më i ndjeshëm, ai i kandidatit të PD-së në Këlcyrë u shty për të mërkurën, pasi KQZ i është drejtuar selisë blu të paraqesë arsyetimin e tërheqjes së të propozuarit të saj nga gara.

Nga përgjigjia e PD-së, që nuk ka bërë ende publike arsyet e tërheqjes nga kandidati i saj, do të varet përgjigjia që do t’i japë KQZ këtij rasti.

Një tjetër surprizë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte votimi për përcaktimin e numëruesit të tretë dhe të katërt në grupin e numërimit.

Sipas ligjit, ky i takon partisë së dytë të secilit koalicion të dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Mbi këtë bazë, PDIU pretendonte të kishte një numërues nga katër të tille, duke bërë që në finale mazhoranca të kishte 3 nga 4 numëruesit, që kanë grupet e numërimit.

Pas një debati të gjatë, se ku duhet të konfigurohej PDIU që ka dalë nga koalicioni i djathtë dhe tani garon me të majtën, kjo parti pas disa votimeve, jo dhe aq të qarta, ngeli jashtë dy koalicioneve në pretendimin për numërues.
 
Mesa duket, për të mos humbur balancën mazhorancë–opozitë, ishin tre anëtarët e propozuar nga e majta dhe kryetarja e KQZ-së, që ngritën dorën që numëruesi t’i takojë Partisë Republikane, propozim që nuk u votua nga të propozuarit nga opozita në KQZ, për shkak se mbështesnin një tjetër variant të ndarjes brenda koalicionit të të drejtës së numëruesve.

Votimi i së martës është një risi, pasi precedenti ka ekzistuar disa vjet më parë, kur e njëjta situatë ndodhi në atë kohë me Partinë Demokristiane, për të cilën më pas u shpreh Kolegji Zgjedhor.

Mbi përcaktimin ligjor dhe vendimin e gjykatës, PDIU deklaroi se vendimi i KQZ është antiligjor dhe çështja do të çohet prej tyre në Kolegjin Zgjedhor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB