“Udhëtimi“, Prokuroria për Krimet e Rënda: Ja dosja e plotë e drogës

01/06/2015 00:00

Prokuroria për Krimet e Rënda ka zbardhur dosjen e plotë të arrestimit të operacionit “Udhëtimi” ku u arrestuan 10 persona, u sekuestruan 2 kg kokainë dhe 28 kg kanabis sativa.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se hetimet kanë nisur që në muajin shkurt, pas dyshiemve të policisë lidhur me aktivitetin kriminal të disa personave.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria Për Krime të Rënda u konstatua se Adrian Lile dhe Gjorgjo Gjoka paraqiten në rolin e organizatorëve për trafikimin e një sasie lënde narkotike drejt Greqisë.

Sipas të dhënave, përgatitjet për trafikimin kanë nisur që më 24 maj të këtij viti, kur Adrian Lile, i thirrur ndryshe me emrin Lelo në bashkëpunim me Gjorgjo Gjoka kanë kontaktuar personat, të cilët do gjenin sasinë e lëndës narkotike dhe personat që mund të bënin transportin e lëndës narkotike brenda dhe jashtë vëndit.

Me 29 maj, Adrian Lile bashkë me Bujar Qesaraka dhe Leonard Qesarin kanë hipur në automjetin Mercedes Benz me targë AA 823 LO, që drejtohej nga Adrian Lile dhe janë nisur në drejtim të Mamurrasit, ku në rrugën “Mihal Duri”, kanë blerë në një dyqan dy çanta të mëdha të zeza.

Pasi Lile është kthyer nga Mamurrasi, bashkë me Enver Likën kanë vazhduar lëvizjen drejt Elbasanit, ndersa me një automjet tjetër Audi me targa AA 815 KR udhëtonin në të njëjtin drejtim, shtetasit Leonard Qesari dhe Bujar Qesaraka, ku dy automjetet kanë vazhduar rrugën në drejtim të Elbasanit e më pas drejt Korçës, ku gjatë udhëtimit në automjetin e drejtuar nga Adriani tashmë ndodhej edhe një person i tretë, identifikuar si Altin Kodra.

Automjeti Mercedes Benz, me targë AA823 LO, i drejtuar nga Adrian Lile, ka hyrë në qytetin e Korçës dhe rreth orës 15.00, ka dalë sërish nga qyteti, në drejtimin Korçë-Pogradec, deri sa është ndaluar nga forcat e policisë në fshatin Vloçisht të këtij rrethi. Ndërkohë, automjeti Audi A4, me targë AA815KR, ka hyrë në qytetin e Korçës rreth orës 15.15, është parkuar nga drejtuesi i mjetit Leonard Qesari në një qendër tregtare, dhe të dy personat që ndodheshin në mjet, Leonard Qesari dhe Bujar Qesaraka, janë ulur në një lokal ku edhe janë arrestuar në flagrancë.

Nga kontrolli i ushtruar në automjet, janë gjetur dhe sekuestruar në bagazhin e tij 23 kg e 443 gramë lëndë narkotike të dyshuar si canabis sativa, të futura në 22 pako të mbështjella me natriban, siç rezulton edhe nga procesverbali i peshimit të lëndës.

Ndërkohë pas këtij konstatimi, në qytetin e Tiranës janë arrestuar në flagrancë nga policia Gjorgjo Gjoka dhe Platin Bodi, ku në momentin e arrestimit, atyre u janë gjetur në kroskotin e automjetit BMV me targë TR 8840M, 4,6 gramë cannabis sativa, të cilat Platin Bodi pretendon se e posedonte ai, si posedues edhe i mjetit, ndërkohë që në drejtimin e mjetit ka qenë Gjorgjo Gjoka, i cili e drejtonte mjetin pasi atij, Platinit, i kishin bllokuar patentën.

“Nga sa më sipër rezulton se lënda narkotike është siguruar në zonën e Mamurrasit nga Gjorgjo Gjoka, ndërkohë që Platin Bodi dhe Adrian Lile kanë organizuar transportin e saj drejt Greqisë. Për këtë qëllim Adriani ka siguruar edhe dy personat që do të bënin transportin, që janë Leonard Qesari dhe Bujar Qesaraka, të cilët udhëtuan me atë drejt Mamurrasit, ku morën edhe automjetin Audi ku u ngarkua lënda narkotike, e cila ishte futur pikërisht në çantat e zeza që u blenë mëngjesin e asaj dite nga Adriani dhe Bujari. Ndihmës për transportimin e lëndës narkotike janë edhe Enver Lika e Altin Kodra, të cilët dyshohet se do ta kalonin lëndën narkotike drejt Greqisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Më pas, më 31 maj në Korçë u kapën në flagrancë dhe u arrsetuan Renaldo Thoma, Vangjel (Aurrel) Zguri dhe Arben Shquta, të cilët ishin në proces të shkëmbimit të blerjes dhe shtijes të një sasie prej 2 kg lëndë narkotike të llojit kokaine. ”Duhet theksuar se shtetasi Vangjel i njohur më parë si Rreli i Voskopojes është në kupolen e grupit të ”Çobenëve”, ndjekur për këtë aktivitet dhe vite më parë”, thekson prokuroria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB