
80 efektivë të rinj janë certifikuar këtë të hënë si anëtarë të Forcave të Lëvizshme Operacionale të Policisë së Shtetit.
Në një ceremoni të mbajtur me këtë rast në ambientet e Akademisë së Sigurisë ka qenë i pranishëm drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe drejtues të tjerë të seksioneve të ndryshme të uniformave blu.
Në fjalën e tij, Çako ka vlerësuar seriozitetin e treguar nga efektivët gjatë kryerjes së kursit për patrullë të përgjithshme, si dhe rezultatet e larta të arritura si në teori, ashtu dhe në praktikë.
“Ju jeni pjesë e rëndësishme e strukturave të Policisë së Shtetit dhe në veçanti të Forcave të Lëvizshme Operacionale. Dijet që keni marrë këtu, t’i përçoni në strukturat ku do punoni, me qëllim ngritjen e profesionalizmit të strukturave, në respekt të plotë të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve, për një polici profesionale e sa më afër qytetarit”, deklaroi Çako.
80 efektivët e rinj vijnë nga njësitë komando të Forcave të Aramtosura dhe janë përzgjedhur me konkurs dhe procedura të rregullta, thuhet në një komunikatë zyrtare.
Top Channel