Emri/ Plagosja me thikë në Durrës, zbardhen detaje, 45-vjeçari ka marrë plagë në gjoks dhe bark
Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë, Altin Qato, kanë qenë në një takim pune me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, gjatë të cilit janë diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë Lazaratin, kufirin e gjelbër, por edhe zgjedhjet lokale.
Fillimisht, duke risjellë në kujtesë periudhën gjatë së cilës Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës drejtohej prej kryepolicit aktual, drejtori Haki Çako është shprehur se për shkak të specifikave të veçanta që ka kjo drejtori, objektivat tashmë kanë ndryshuar së tepërmi.
Sipas tij, “Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër nuk ka më zona të paprekshme e të pashkelura, ashtu sikurse nuk ka më njerëz të paprekshëm. Tashmë nuk ka më as breshëri armësh mbi lagjet e qytetit Gjirokastër, apo nëpër fshatra të dëgjuara shpesh, si ai Derviçjan”.
“Në kohët e sotme s’ka më tonelata kanabis, apo qindra mijëra bimë narkotike të kultivuara në Lazarat dhe kjo, falë punës së përbashkët që bëmë vitin e kaluar, falë seriozitetit dhe vendosmërisë maksimale të Qeverisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, për ta kthyer njëherë e përgjithmonë Lazaratin në një vend, ku të mbizotërojë normaliteti e të funksionojë ligji”, u shpreh kryepolici Qato.
Duke deklaruar se “jemi të pranishëm në Lazarat për shkak të kaluarës së tij”, ai thekson se situata do të vijojë të mbahet nën kontroll për të mos lejuar më kurrë kthimin e “Lazaratit të djeshëm”.
“Jemi në Lazarat për t’i ofruar komunitetit shërbimin policor të munguar prej dy dekadash, e çdo shërbim tjetër që ofrojnë institucionet shtetërore. Për t’iu siguruar rendin dhe qetësinë banorëve të ndershëm të fshatit Lazarat, për të bërë të mundur krijimin e një ambienti social sa më të sigurt, që edhe banorët e Lazaratit të ndihen njësoj dhe po aq të sigurt, sa të gjithë banorët e këtij vendi”, tha Çako.
Ai shtoi se prania e punonjësve të policisë në këtë fshat lidhet me përpjekjen për të të kapur dhe çuar para drejtësisë të të gjithë atyre personave, që kanë punë me drejtësinë. Ai kërkoi gjithashtu nga punonjësit e policisë, një performancë dhe një marrëdhënie gjithnjë e në përmirësim me komunitetin.
“Ministri i Punëve të Brendshme, së bashku me stafin drejtues të Policisë së Shtetit po bëjnë përpjekjet maksimale për ta transformuar policinë në një shërbim cilësor për komunitetin. Promovimi i Komisariatit Dixhital është një tjetër nismë e ministrit Saimir Tahiri dhe Policisë së Shtetit, për ta bërë punonjësin e policisë më të përgjegjshëm për efikasitetin dhe shërbimin, që ofron policia ndaj komunitetit, por edhe për të ndërgjegjësuar cilindo, që të jetë korrekt me ligjin”, deklaroi Çako, në takimin me efektivët e Policisë Gjirokastrës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit theksoi edhe nevojën për forcimin e kufirit të gjelbër, për të mos lejuar shfrytëzimin e tij për trafiqe të paligjshme apo për trafikimin e klandestinëve që vijnë nga vendet e treta. Sa i përket fushatës zgjedhore, ai theksoi nevojën për zbatimin e ligjit, duke mos rënë prè e ndonjë tendence apo emocioni të çastit.
“Duhet të tregohemi profesionistë, të paanshëm për të ndëshkuar cilindo, që tenton të prishë rendin e qetësinë gjatë aktiviteteve elektorale dhe fushatës në tërësi”, u shpreh Çako.
Top Channel