Gjyqi Rama-Paloka, deputeti i PD-së i pafajshëm për shpifje

29/05/2015 00:00

Janë nevojitur pesë muaj proces në Gjykatën e Lartë që gjyqi “Rama-Paloka” të japë shenjat se ka qenë një histori gjyqësore “nul”. Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja kërkoi që gjykata të shpallë pafajësinë e Edi Palokës, deputetit të akuzuar nga kryeministri Edi Rama për shpifje dhe fyerje.

Për Prokurorinë e Përgjithshme nuk gjenden në këto dosje elemente të veprës penale të fyerjes kundër Ramës, pasi siç tha prokurori, nuk është prekur as dinjiteti dhe as figura e tij.

Ndërkohë, në lidhje me veprën e shpifjes për shkak të detyrës, prokurori u shpreh se deputeti Paloka ka shpifur kundër Ramës në pozicionin e tij si kryeministër, vetëm se kjo vepër është e shfuqizuar në vitin 2013 nga qeveria “Berisha” dhe, për rrjedhojë vijoi prokurori, deputeti duhet të shpallet i pafajshëm.

“Standardi i të dëmtuarit akuzues, standard që e ka shprehur publikisht në Parlament, është ai i kthimit mbrapa, i kriminalizimit të këtyre veprave, pra të shpifjes dhe të fyerjes për shkak të detyrës. Kemi dy qëndrime të qarta. Ne sigurisht jemi me standardin europian, atë kushtetues dhe të Këshillit të Europës, në ndryshim nga pala tjetër”, deklaroi Ivi Kaso, avokat i Palokës.

Por avokatja e kryeministrit Rama tha se prokuroria ka keqkuptuar dhe ka keqargumentuar këtë çështje, të dërguar në gjykatë nga kryeministri Rama.

Një koment për qëndrimin e prokurorisë?

“Është e drejta e tyre, por kanë parë në mënyrë të gabuar paraqitjen tonë”, u përgjigj avokatja Enkelejda Muçaj.

A e dini që është shfuqizuar ligji për shpifje për shkak të detyrës?

“Nuk ekziston, është vetëm një lapsus logjik i prokurorisë dhe i palës së akuzuar. Eshtë diçka që nuk ekziston dhe që nuk ka qenë kurrë në kërkimet tona”, iu përgjigj ajo interesit të mediave.

Më datë 5 qershor pritet që Gjykata e Lartë të shprehet me një vendim, pasi i ka dëgjuar edhe avokatin e Palokës që më herët kërkoi pafajësi me argumentin se Paloka ka folur në emër të Partisë Demokratike si kreu i grupit parlamentar, ndërkohë që avokatja e Ramës këmbënguli në fajësinë e deputetit demokrat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB