Vrasja e trefishtë e ndodhur një ditë më parë në Tiranë dyshohet se e ka zanafillën në një pazar të prishur droge që shkaktoi më herët dy vrasje dhe një plagosje.
Mentor Doçi, nën shoqërinë e Gerti Goxhajt, person i skeduar për trafik droge, ndodhej në një lokal para maternitetit “Mbretëresha Geraldine”. Pasi kanë dalë, kanë hipur në një mjet, por janë sulmuar menjëherë me armë nga dy persona.
Gerti Goxhaj humbi jetën menjëherë, ndërsa Mentor Doçi, i njohur me emrin Mentor Lufi, mbeti i plagosur rëndë. Menjëherë kanë reaguar dy të rinjtë Markeljan Doçi dhe Klevis Doçi. Ata qëlluan me automjet një shtetas italian, një prej atentatorëve dhe qëlluan e vranë shtetasin Besnik Sulku. Policia mbërriti brenda pak minutash dhe prangosi dy të rinjtë, nipat e viktimës së atentatit, Mentor Doçi, si dhe shtetasin italian Salvatore Leticia, i cili ishte fshehur në një hotel aty pranë, duke u munduar të fshehë gjurmët e krimit.
Kjo është dinamika e ngjarjes e zbardhur nga Policia e Shtetit ditën e krimit, ndërkohë që të dhënat tregojnë se vrasja ka rrënjë në një konflikt për trafik droge. Mentor Doçi ishte i njohur për policinë për armëmbajtje pa leje dhe për një atentat të ndodhur në shkurt në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë, ku ai mbeti i plagosur.
Prej asaj dite, dy nipat e tij ishin kthyer në truproja. Gerti Goxhaj rezulton të jetë ndaluar për një sasi të madhe hashashi të kapur në Morinë, ndërsa Besnik Sulku është vëllai i Ilirjan Sulkut, vrarë në një atentat në mesnatën e 6 prillit në Roterdam të Holandës, në një parkim.
Pas identifikimit të tij nga ana e policisë holandeze, më datë 16 prill u aludua se vrasja kishte lidhje me konflikte më të hershme.
Top Channel