Berat, kultivonin bimë narkotike, 5 shtetas në pranga

28/05/2015 00:00

Policia e Qarkut të Beratit ka vijuar edhe gjatë kësaj të enjteje operacionin antikanabis të koduar “Start 2015”, gjatë të cilit ka asgjësuar me djegie mijëra fidanë të dyshuar bimë narkotike, si dhe ka arrestuar disa persona.

Aksioni ka nisur menjëherë pas takimit të vetë kreut të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit, Afrim Tafa, i cili është zotuar se do të “zhdukë në qelizë” të gjithë bimët narkotike të mbjella. Operacionet kanë nisur prej 2 muajsh, ndërsa këtë të enjte është ndërmarrë aksioni i 9, gjatë të cilit janë 1760 rrënjë në fshatin “Magjat” të komunës Perondi, 930 rrënjë kanabis sativa me gjatësi 60-102 cm, si dhe 75 kg marijuanë.

Me pranga në duar kanë përfunduar 4 shtetas, të identifikuar me iniciale nga ana e policisë; konkretisht R.D. 62 vjeç, A.D. 44 vjeç, A.D. 29 vjeç dhe A.D. 38 vjeç, të gjithë banues në Kuçovë.

Operacionet për “parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike” janë ndërmarrë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. 1762 rrënjë të tjera të dyshuara si kanabis sativa, me gjatësi 20-40 cm janë asgjësuar në fshatin Samaticë, të komunës Kutalli.

Në këtë fshat, i arrestuar rezulton shtetasi Artan Çela, 36 vjeç. Të gjitha materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm, të cilët akuzohen për “prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “kultivim të bimëve narkotike” do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, edhe pse vijon puna për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të implikuar apo jo.

Që prej fillimit të operacioneve janë asgjësuar mbi 8 mijë findanë dhe mbi 10 persona kanë rënë nën pranga nga forcat e policisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta