
Vizita e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç në Tiranë do të bllokojë pjesën më të madhe të segmenteve kryesore të kryeqytetit, ndaj Policia e Tiranës këshillon drejtuesit e mjeteve, të qarkullojnë në mënyrë të kufizuar gjatë së mërkurës dhe së enjetes.
Bllokimi i një pjese të madhe të rrugëve do të nisë pas orës 10 e 40 minuta, kohë në të cilën Vuçiç mbërrin në kryeqytetin shqiptar. Fiks në këtë ore do të ketë kufizim deri në bllokim të lëvizjeve në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës.
Policia ka këshilluar gjithashtu që drejt Durrësit në këtë orë të përdoret rruga e vjetër e Ndroqit. Dy rrugët që do të bllokohen totalisht përgjatë dy ditëve në vazhdim janë ato “Ismail Qemali” dhe “Donika Kastrioti”.
Ndërsa do të ndalohet parkimi në më shumë se 15 rrugë, duke filluar nga ora 12 e mesnatës së të martës. Nga rruga e Rinasit, në Qafë Kashar, sheshi “Shqiponja”, rruga “Dritan Hoxha” në të dyja senset (hyrje-dalje), rruga e Durrësit, sheshi “Skëndërbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali”(nga radiotelevizioni në drejtim të liceut), rruga e Elbasanit deri te Pallati i Brigadave.
Ndërkohë që policia e kryeqytetit ka marrë të gjitha masat që vizita e kryeministrit serb në Tiranë të mos ketë asnjë incident. Pothuajse të gjithë agjentët e antiterrorit do të jenë në terren, përfshirë këtu edhe ata të shërbimeve të inteligjencës.
Një numër i madh punonjësish të rendit, si edhe të qarkullimit rrugor do të jenë në rrugë për mabrëvajtjen e kësaj vizite. Shërbimet inteligjente në vend nuk kanë dhënë asnjë informacion për ndonjë incident të mundshëm.
Top Channel