Rama inspekton rrugën Banjë-Gramsh. Prezanton edhe kandidatin e Librazhdit

25/05/2015 00:00

Kryeministri Rama inspektoi punimet, që kanë nisur për rrugën e re Banjë-Gramsh dhe Urën e Trashovicës, në kuadër të projektit hidroenergjetik të Devollit. Investimi ka vlerën e 33 milionë eurove dhe segmenti është i gjatë 15,5 kilometra; nga të cilat 11,7 kilometra janë gjurmë e re dhe 3.6 km gjatësi ndjek rrugën ekzistuese.

“Është një nga veprat më të mëdha në Shqipëri. Ura ka një gjatësi prej 520 metrash dhe një lartësi prej 55 metrash. I gjithë aksi prej 15,5 kilometrash ka 13 vepra të tilla”, tha Dashamir Xhika, drejtor i Autoritetit Rrugor të Shqipërisë.

Më pas, Rama u takua me banorët e Gramshit, të cilëve u kërkoi votën për kandidaten Luljeta Dollani, e cila sipas kryeministri do të jetë një partnere e qeverisë për t’i dhënë jetë projekteve për këtë qytet.

Prezantohet kandidati i Librazhdit
Rama: Më 21 Qershor do ta çojmë përpara projektin për qytetin

Kastriot Gurra është i përgjedhuri i Aleancës për Shqipërinë Europiane në Librazhd, në Lokalet e 21 Qershorit, i cili u prezantua nga kryeministri Edi Rama. Këto – thotë Rama, – janë zgjedhje për të çuar përpara projektin tonë, në Librazhd dhe në të gjithë Shqipërinë.

“Në këto zgjedhje ne kemi një mundësi fantastike, që me votë t’i japim një fuqi të re të gjithë përpjekjes sonë për të rilindur Shqipërinë. Ndaj dhe duhet t’i japim një shtytje më të fortë punëve në drejtimin e duhur. Për këtë arsye, bashkitë janë një fuqi e madhe, një vlerë e madhe e shtuar, një forcë që i bashkëngjitet gjithë kësaj force të madhe të krijuar këto 18 muaj, ku jemi marrë me pjesët më të vështira dhe më të dhimbshme”, theksoi kryeministri Rama.

Nga Librazhdi, për herë të parë Rama komentoi sloganin elektoral të opozitës.

“Lëre njëherë këtë sloganin ‘Punë, dinjitet, mirëqenie’. Punë, nga ata që e lanë Shqipërinë me 1 milion të papunë. Dinjitet, nga ata që e lanë shtetin copë-copë dhe vendin përtokë. Mirëqenie, nga ata që e lanë këtë vend të zhytur në borxhe. Ndërkohë që ne, në 18 muaj kemi shlyer 550 milionë dollarë vetëm borxhe dhe ende s’ka mbaruar, sepse borxhet që na lanë janë 720 milionë drejtpërdrejt kompanive dhe individëve që kanë qenë në kontratë me shtetin”, u shpreh kryeministri Rama.

Top Channel