
Erion Veliaj është ndalur në Zall Bastar, zonë që me ndarjen e re territoriale do të jetë pjesë e Bashkisë së Tiranës. Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e kryeqytetit premtoi zgjidhje konkrete për problemet e kësaj zone.
“Ne duhet të përfundojmë me patjetër 3.5 kilometra rrugë, që na lidhin me rrugën e Arbrit, si një mundësi për zhvillim. E kemi shumë të nevojshme që në hyrje të Tiranës – tani që do të kemi Rrugën e Arbrit dhe Rruga e Dibrës do të jetë një hyrje e re për kryeqytetin – duhet të kemi një treg për të gjitha produktet e zonës, ku asnjë i fortë i bashkisë të mos guxojë të fusë dorën te xhepi i asnjë njeriu, që zbret nga Zall Bastari për të ofruar mundin e punës së tij për qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.
Duke u ndalur tek kundërshtarët politikë, Veliaj tha se oferta e tyre e vetme është të kthehen aty ku ishin.
“Lulzim Basha dhe SHQUP-i bëjnë thirrje që të votoni ata, për t’u kthyer aty ku ishit. A ka një njeri normal, që do të kthehet aty ku ka qenë deri më sot me ata? Në një situatë ku nuk bëhej asnjë pagesë dhe nuk merrej asnjë ndihmë? Propozimi i tyre më i mirë është që ju të ktheheni aty ku ishit”, shtoi më tej Veliaj.
Erion Veliaj u zotua se, në bashkinë që ai do të drejtojë nuk do të ketë asnjë dallim mes atyre që banojnë në Zall Bastar dhe atyre që jetojnë në qendër të Tiranës.
Top Channel