Shqipëri – Greqi ose paqja e ftohtë në Ballkan

24/05/2015 00:00

Ilir Yzeiri – Shtypi grek ka disa ditë që shkruan se midis Shqipërisë dhe Greqisë kanë lindur probleme.

Shkak i tyre janë bërë rishikimi i marrëveshjes së ujërave territoriale dhe tani në fund zgjedhja e Idrizit si nënkryetar i Parlamentit shqiptar. Po të vëresh retorikën që përdoret, do të shohësh se ajo e merr lëndën nga e kaluara, prej kohës romantike e nacionaliste dhe Greqia në këtë rast i ka gati klishetë. Ajo, gjithë këtë qëndrim e paraqit si produkt të irredentizmit shqiptar dhe nacionalizmit. Greqia ka kohë që është vënë në qendër të polemikave me Maqedoninë, për shkak të emrit, tani në fund ajo i kërkon edhe Gjermanisë reparacionet e luftës, duke dëshmuar edhe njëherë se të shkuarën ajo e ka një thesar të madh për të kompensuar humbjet e kohëve të reja. Studiuesit e sotëm, duke analizuar konfliktet nëpër të cilat është përfshirë bota kanë vënë re se “Lufta e Ftohtë” që karakterizonte konfliktin ideologjik mes dy kampeve të dikurshme është zëvendësuar me paqen e ftohtë mes Rusisë nga njëra anë dhe vendeve të NATO-s nga ana tjetër. Po ashtu, në shumë rajone, bota është përfshirë nga një luftë e nxehtë. Ballkani duket se i ka kapërcyer premisat për një luftë të nxehtë, por ai është i zhytur i tëri në atë që studiuesit e quajnë paqe e ftohtë. Po ta shohësh me vëmendje, në të gjitha rastet shkak bëhet diçka që ka lidhje me Shqipërinë. Edhe në Maqedoni tani së fundi krimi shtetëror që vrau e masakroi disa shtetas shqiptarë e maqedonas, që shkatërroi banesa e pasuri, u tha që kishte në themel terroristët shqiptarë. Ndërkaq zhvillimet e mëvonshme në Maqedoni dëshmuan të kundërtën. Manifestimet antiqeveritare të maqedonasve e shqiptarëve bashkë, flamujt maqedonas e shqiptarë të lidhur në një shtizë e përgënjeshtruan gjakimin shtetëror të qeverisë maqedonase. Mirëpo, ajo që mbeti në fund të kësaj historie ishte përsëri një fabul me shqiptarë, pra një fabul me shqiptarë për të shtypur edhe më popullin maqedonas. Por le të kthehemi tek argumenti ynë.

Shpëtimi dhe Vangjeli dy shtetas shqiptarë

Shpëtim Idrizi dhe Vangjel Dule janë dy shtetas shqiptarë që gëzojnë me Kushtetutën e vendit tonë të gjitha të drejtat për të zgjedhur e për t’u zgjedhur në të gjitha organet e Republikës së Shqipërisë. Në qoftë se republika jonë është e pavarur atëherë askush jashtë saj nuk mund të diktojë institucionet shqiptare se cilin duhet të zgjedhë dhe cilin duhet të heqë nga këto institucione. Është e vërtetë se Ballkani është një hartë laramane dhe e përzier, ku kombe të ndryshme janë brenda kufijsh të tjerë. Për fat të keq, Greqia nuk e njeh këtë realitet. Ne me Greqinë kurrë nuk do të merremi vesh për sa i takon thelbit të identitetit nacional. Grekët e lidhin thelbin e tyre me përkatësinë fetare dhe kisha greke, sipas këtij përcaktimi, është atdheu i parë i grekëve. Kisha ortodokse greke quan bij të saj të gjithë të krishterët ortodoksë, pavarësisht nga etnia. Rumunët, që para më shumë se dyqind vjetësh e hoqën gjuhën greke nga shërbimet fetare, sepse Megaliideja synonte që edhe ata t’i bënte bij të kishës greke. Popullsia arumune, në disa raste e ruajti gjuhën greke në këto shërbime dhe ndaj sot ajo ndihet në shumë raste më shumë greke sesa arumune. Këtë vetëdije të magjishme pati Noli në fillim dhe gjithë patriotët e tjerë ortodoksë kur filluan që të fusin shqipen në shërbimet fetare të kishës ortodokse. Mirëpo kjo traditë e kulturës sonë nga propaganda greke e kohës së Rilindjes quhej irredentizëm dhe nacionalizëm shqiptar, ashtu siç quhej edhe prej serbëve lëvizja për më shumë të drejta e popullsisë shqiptare të Kosovës.

Rasti çam dhe rasti armen

Sivjet bota e qytetëruar përkujtoi 100-vjetorin e gjenocidit armen dhe Turqia protestoi ashpër, duke thënë se ajo që ndodhi me armenët ishte pasojë e luftës së brendshme civile dhe jo gjenocid dhe pastrim etnik. Mirëpo pjesa më e madhe e shteteve demokratike të botës me SHBA-në në krye, si dhe Papa Françesku e quajtën atë fillimin e gjenocidit mbi popullsinë e krishterë të Europës, gjenocid që po vazhdon edhe sot në disa rajone të tjera të Lindjes së Mesme e të Afrikës. Edhe shteti grek ka përzënë me dhunë nga territoret e veta një popullsi autoktone dhe etnike që ishte popullsia çame, duke e akuzuar në mënyrë të padrejtë si bashkëpunëtore me nazifashizmin. Dhe bota e qytetëruar do të duhet ta njohë këtë gjenocid që është ushtruar mbi popullsinë etnike çame ashtu siç njohu gjenocidin armen. Natyrisht që këtu nuk dua të zgjatem me këtë akuzë, por Shpëtim Idrizi përfaqëson një forcë politike që ka në themel të mbrojë të drejtat e viktimave të padrejtësive historike ashtu si edhe Vangjel Dule përfaqëson një forcë politike që ka në themel mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. Mirëpo, Vangjel Dule e ndien veten si përfaqësues të Greqisë në Shqipëri dhe jo si mbrojtës i të drejtave të minoriteteve, sepse, nëse Shpëtim Idrizi shihet me përçmim dhe kundërshti nga grekët dhe qeveria greke, ashtu si çdo armen shihet nga turqit apo nga qeveria turke, ky nuk do të duhej të ishte problem i Vangjel Dules dhe i partisë së tij. Mirëpo deklarata qesharake dhe e vjetruar e qeverisë greke për emërimin e Idrizit në krye të Parlamentit shqiptar dhe dorëheqja e Dules më së shumti tregojnë se Greqia dhe diplomacia e saj mendojnë ende se Vangjel Dule është përfaqësues i Epirit të Veriut, i cili në ëndrrat greke është territor grek, ndaj e urdhërojnë që të japë dorëheqjen. Ndërkohë, nëse qeveria shqiptare kërkon që të respektohen kufijtë detarë edhe në këtë rast, për qeverinë greke është shfaqur nacionalizmi shqiptar, sepse kufijtë nuk mund të vendosen me arbitraritet ndërkombëtar, por me vijën e megaliidesë. Në këtë pikë grekët kanë të drejtë, sepse Shqipëria në fillim është shitur e tradhtuar nga shqiptarët, pastaj është blerë lirë nga të gjithë matrapazët e rajonit. Berisha me Bashën ua bënë dhuratë ujërat e Jonit, Greqisë dhe ata kanë të drejtë të thonë, po ky Edi Rama çfarë do? Pse, mos e do Shqipërinë ky më shumë se Berisha e Basha?! Këtu, në fakt, grekët kanë të drejtë …

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA