Kryebashkiaku Dako, në lagjet 17 dhe 8: Ta kthejmë Durrësin qytet turistik europian

24/05/2015 00:00

Kryebashkiaku i qytetit bregdetar të Durrësit, Vangjush Dako, ka vijuar takimet e tij me banorë të lagjeve 17 dhe 8, ku, pasi i ka quajtur ata si dëshmitarë të transformimeve të ndodhura deri më sot, premtoi se ato do të vazhdojnë pa dallim në të gjitha zonat e tjera të bashkisë së re, e cila do të jetë nga më të rëndësishmet në vend.

Investimet madhore të bëra gjatë këtyre dy viteve të fundit, siç shprehet Dako, ia kanë ndryshuar faqen qytetit dhe kanë përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve durrsakë.

Megjithatë, banorët e lagjes 17, pavarësisht investimeve të shumta të kryera nga Bashkia e Durrësit, kanë ngritur problemin e kanalit të ujërave të zeza të kësaj zone, problem për të cilin kryebashkiaku Dako u zotua se pastrimi i tij do të kryhej brenda një jave, ndërsa me të filluar mandati i ri kanali do të mbyllej, duke mos përbërë më problem për banorët.

Edhe në lagjen 8, një zonë e rehabilituar thuajse tërësisht, kryebashkiaku Dako ka marrë falënderimet e qytetarëve durrsakë. Gjatë bashkëbisedimit me ta, ai ka thënë se punët e nisura prej dy vitesh thuajse do të vijojnë për të ndryshuar të gjitha zonat e qytetit, duke e kthyer Durrësit në një qytet turistik europian.

Top Channel