Qeveria rekomandon politika penale, dënime më të forta për vjedhjen e energjisë

22/05/2015 00:00

Ministria e Drejtësisë i dorëzon Prokurorisë së Përgjithshme rekomandimet se ku duhet të fokusohet akuza në luftë ndaj kriminalitetit.

Nëpërmjet ministrisë, ekzekutivi kërkon nga organi i hetimit të vijojë të jetë mes të tjerash i ashpër në hetimet për vjedhjen e energjisë elektrike, ndërkohë që sugjeron tolerancë dhe aplikim të dënimeve alternative për veprat nën pesë vjet burgim.

Gjatë një interviste për Top Channel, ministri i Drejtësisë Nasip Naço nënvizoi se prioritet kërkohet edhe për hetimin e veprave të korrupsionit dhe terrorizmit.

“Kemi kërkuar të ndjekim një politikë disi të ashpër sa i përket vjedhjes së energjisë elektrike, krimeve ndaj mjedisit, ndërtimeve pa leje, dhe nuk i kemi thënë gjë prokurorisë për rastin e vrasjeve dhe veprave të tjera penale që janë prioritet i përditshëm. Por një prioritet të veçantë që kemi vënë është lufta ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, dhe rasteve të korrupsionit. I kemi vënë në dukje që këtë vit janë dënuar dy gjyqtarë për korrupsion dhe një është prokuror”, tha ministri Naço.

Ekzekutivi i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme që, për të miturit të aplikohen programe rehabilituese në mënyrë që t’u jepet shans që ata të vijojnë jetën jashtë krimit.

“Duhet të kemi parasysh që sot në institucionet e paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit janë rreth 800 persona të mitur, ku mbi 350 vuajnë dënimin në burg. I kemi orientuar që arrestimi ndaj tyre të jetë rast përjashtimor. Në çdo rast të ndiqet një politikë sipas dënimeve alternative, masa e sigurimit të mos jetë në ekstrem”, u shpreh ministri Naço.

Për herë të parë këto rekomandime do t’u shpërndahen edhe institucioneve të tjera të drejtësisë në vend.

“Këto rekomandime do t’u dërgohen edhe gjithë gjykatave, KLD-së, Konferencës Gjyqësore, duke filluar nga Gjykata e Lartë. Pasi, gjatë analizave që kemi bërë këtë vit shumë gjyqtarë nuk i njihnin prioritetet e qeverisë. Këto prioritete në bazë të ligjit i janë dhënë vetëm prokurorisë, ndërsa gjykatat nuk ishin në dijeni”, përfundon Naço.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta