Para se ta ndërmarrin atë hap, i vetmi mendim që u vjen në kokë femrave, është që operacioni t’u dalë siç e kishin parashikuar.
Të nisura nga dëshira për të arritur perfeksionin apo thjesht për të rregulluar ndonjë defekt në pamjen e tyre, miliona femra ditët e sotme duket se e kanë gjetur zgjidhjen e problemit të tyre, pikërisht botoksin.
Një studim i fundit tregon se Seuli është kthyer në destinacionin e besuar të femrave për kirurgët më të mirë plastikë në botë. 70% e të huajve e vizitojnë Korenë vetëm për këtë qëllim. Por nëse ka ende femra që tundohen për të marrë një hap të tillë, janë disa personazhe shumë të famshëm të ‘show biz’-it, që i këshillojnë vajzat të mendohen dy herë.
“E kam provuar dhe më ka ndryshuar fytyrën në mënyrën më të çuditshme, thjesht nuk e prisja”, është shprehur ylli i kinematografisë botërore, Cameron Diaz.
“Më mirë do të kisha preferuar të shikoja fytyrën time të rrudhej, se sa të kisha përballë në pasqyrë një pamje që nuk më përket mua”, e mbyll Diaz.
Victoria Beckham, e cila shpesh është përfolur nëse ka kryer apo jo operacione plastike, e pranoi më në fund se kishte zmadhuar gjoksin, por nuk kishte duruar gjatë. Ajo i ishte drejtuar sërish qendrës estetike dhe ishte rikthyer si në pamjen e mëparshme, “pasi thjesht nuk i duroja dot”, është shprehur ikona e modës.
Të njëjtën pendesë e ka ndarë me fansat e saj ikona e bukurisë, imazhi më i vjetër i “Loreal”, Jane Fonda. 77-vjeçarja ka treguar se nuk është krenare për një hap të tillë, “madje duhet të plakemi natyralisht, pasi rrudhat tregojnë identitet”. Ajo i këshillon femrat se nuk është ky çelësi i suksesit për t’u pëlqyer apo admiruar.
Por sa të vlefshme janë këto këshilla, kur në çdo tre orë, 1 në 10 femra sapo ka dalë nga qendra e kirurgjisë estetike?
Top Channel