
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi se asnjë vend në botë nuk është imun ndaj kërcënimit nga terrorizmi. Gjatë ministeralit rajonal kundër ekstremizmit të dhunshëm, Tahiri deklaroi se, Ballkani po eksporton rrezik, që në këtë rast janë luftëtarët e huaj.
Por për të, ky problem shumë shpejt mund të jetë problem për vetë vendet e rajonit. Duke përfshirë Shqipërinë në fjalën e tij, një nga zgjidhjet që sugjeroi Tahiri ka qenë edukimi fetar.
“Edukimi i modelit të praktikantit të fesë, që dënon manipulimin e fesë për qëllime të tjera, është një ndër detyrat tona kryesore së bashku me komunitetet vendore. Por, mbi të gjitha, me komunitetin fetar për ta bërë të qartë dhe evidente përjashtimin që duhet të kemi nga çdo praktikë afërsisht ekstreme”, deklaroi Tahiri.
Tahiri përmendi se, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë parësore për Ballkanin, por ai sërish pati një kërkesë të ripërmendur në çdo takim me këtë temë: bashkëpunimin.
“Ka edhe ca detyra që shkojnë përtej kufijve kombëtarë të çdo vendi. Kriminaliteti, krimi i organizuar, por pa asnjë dyshim ekstremizmi i dhunshëm nuk njohin kufij. Kriminelët nuk njohin protokolle bashkëpunimi, nuk njohin burokraci, janë shumë më të shpejtë se qeveritë. Bashkëpunojnë shumë më kollaj se qeveritë. Ndaj kemi ca detyra të përbashkëta ne qeveritë e rajonit, por kudo pastaj, të cilat na e bëjnë më të lehtë e më të mundur bashkëpunimin efektiv dhe të qendrueshëm në kohë, me praktikat më të mira dhe me problemet e secilit, për të pasur rezultate të qëndrueshme në luftën kundër terrorizmit”, nënvizoi Tahiri.
Ndërsa nënsekretarja amerikane e Shtetit, Sarah Sewall u shpreh në samit se, në luftën kundër ekstremizmit duhet të përfshihen edhe komunitetet fetare dhe biznesi.
“Bashkëpunimi rajonal është mëse i rëndësishëm për të parandaluar përfshirjen në luftëra. Ballkani ka pasur shembuj të mirë të bashkëpunimit në këtë drejtim”, tha zonja Sewall.
Sipas saj, përfshirja e qytetarëve ballkanas në radhët e xhihadistëve është nxitur nga rrethanat, ndaj, sipas saj, nevojitet një dialog fetar i mirë, sidomos me të rinjtë.
Top Channel