Dako: Zhvendosjet nga PD, mes tyre edhe vetë Grida Duma

07/05/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, njëkohësisht kandidat i mazhorancës për një tjetër mandat, hodhi poshtë pretendimet e Partisë Demokratike, e cila depozitoi këtë të enjte në Prokurori një kallëzim penal ndaj tij dhe administratës që ai drejton, për ndërhyrje flagrante në listat zgjedhore.

Dako shkruan në Facebook se akuzat e PD janë një përpjekje e dëshpëruar për të hedhur baltë mbi fushatën e Aleancës për Shqipërinë Europiane.

“Dëshiroj të distancohem plotësisht nga çdo akt joligjor që synon të deformojë vullnetin e votuesve në zgjedhje dhe i bëj thirrje çdo institucioni për të hetuar dhe gjetur përgjegjësit në rast të çdo shkelje ligjore”- thotë ai.

Nëse këto shifra të pretenduara nga opozita rezultojnë të vërteta, atëherë për kandidatin e mazhorancës për Durrësin, ato janë një provë manipulimi zgjedhor nga ana e Partisë Demokratike.

“Shpresoj që shifrat e përmendura nga Partia Demokratike, nëse vërtetohen të sakta, të mos jenë rikthimi në Durrës i qindra votuesve durrsakë, që në vitin 2011 u detyruan nga qeveria e Sali Berishës të shpërnguleshin në Tiranë për t’i dhënë me pahir mandatin e kryebashkiakut Lulzim Bashës. Nëse do të ishte ky rasti, atëherë do të kishim sot, plot katër vjet më pas, një tjetër provë të manipulimit zgjedhor të kryer nga Partia Demokratike në Tiranë, katër vjet më parë”- shkruan ai.

Dako thotë se edhe vetë kandidatja e opozitës, Grida Duma është pjesë e këtyre zhvendosjeve.

“Nënvizoj faktin se edhe vetë kandidatja e opozitës, që garon përballë meje për Bashkinë e Durrësit, ka përfituar nga e njëjta procedurë dhe është zhvendosur rishtasi në Durrës nga Tirana, me pretendimin se banon këtu në shtëpinë e një familjari”- deklaron kryetari i Bashkisë së Durrësit.

Në fund të sqarimit të tij, Dako shprehet i sigurtë në fitoren e zgjedhjeve dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve hetimore që të hetojnë dhe zbardhin të gjitha pretendimet e ngritura kundër tij.

Top Channel