Unioni i Agrobiznesit Shqiptar: Kandidatët të paraqesin ide për zhvillimin e bujqësisë

06/05/2015 00:00

Unioni Kombëtar i Agrobiznesit Shqiptar ka nxitur të mërkurën të gjithë kandidatët për kryetarë të 61 bashkive “të paraqesin në programet e tyre elektorale idetë dhe projektet për zhvillimin e agrobiznesit dhe prodhimit bujqësor në vend”.

Përmes një apeli drejtuar kandidatëve, ky Union u kërkon atyre që, “krahas dëgjimit të halleve të konsumatorëve dhe kërkesave të tregtarëve dhe agropërpunuesve, t’u kushtojnë vëmendje nevojave dhe kërkesave të prodhuesve të prodhimeve bazike që familjet shqiptare vendosin çdo vakt ushqimor mbi tavolinë”.
 
Duke sjellë në vëmendje se gjysma e popullsisë së vendit, që jeton në zonat rurale, po vuan gjithnjë e më shumë largimin e krahut më të ri të punës, Unioni Kombëtar i Agrobiznesit Shqiptar e konsideron çështje urgjente kombëtare zbatimin e politikave mbështetëse dhe nxitëse të prodhimit vendas.
 
Nga ana tjetër, Unioni inkurajon fermerët dhe prodhuesit e tjerë të marrin pjesë masivisht në takimet e organizuara të të gjithë kandidatëve për kryebashkiakë, të paraqesin pa drojë dhe të argumentojnë kërkesat e tyre, si dhe të kërkojnë me këmbëngulje deklarime të qarta të kandidatëve mbi idetë dhe projektet e tyre për zhvillimin e bujqësisë dhe agrobiznesit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta