Në të ashtuquajturën “betejë të shekullit”, ekspertët dhe kompanitë e basteve rezultuan mëse korrektë.
Duke shfrytëzuar superioritetin prej 10 cm më shumë gjatësi, gjë që e ndihmoi të siguronte pikët e para dhe të shpejta prej grushteve të lëshuara, por edhe tipin specifik të mbrojtjes me anë të supeve, në mënyrë që të shmangte dëmtimin nga e brendshmja, Floyd Mayweather mposhti me pikë; një rezultat unanim 118-110, 116-112 dhe 116-112; Manny Pacquiaon, pas 12 raundesh, në sfidën për titullin botëror të peshave të lehta.
Sfida e zhvilluar në “MGM Grand Garden Arena” të Las Vegasit tërhoqi një vëmendje të jashtëzakonshme, për të cilën biletat ishin shitur deri në 350 mijë dollarë, ndërkohë që amerikanët që e kanë parë nga televizori atë mund të kenë paguar rreth 100 dollarë.
Mayweather, 38 vjeç, mbetet ende i pamposhtur në 48 ndeshje si boksier profesionist, duke koleksionuar ndër to 26 triumfe me “knock out”. Ndërkohë, rivali i tij 36-vjeçar, Pacquiao, pëson kështu humbjen e shtatë në karrierë, gjatë së cilës ka arritur edhe 57 fitore, 2 tërheqje. Ndër triumfet, 38 me “knock out”.
Pacquiao në fakt zbriti në ringun e boksit me një buzëqeshje thuajse ironike dhe tepër i rehatuar, sikur të ishte duke shkuar në ndonjë “party”, ndërsa Mayweather u shfaq më serioz dhe tepër i mbyllur në vetvete, sikur të ishte duke u futur në çështjen më të rëndësishme të biznesit në jetën e tij.
Sfida ishte tepër e dyluftuar, edhe pse jo ndër më të mëdhatë që mund të jenë parë ndonjëherë. Sipas specialistëve, Mayweather ka qenë fitues në 7 raunde, 2 shkuan për Pacquiaon, ndërsa 3 ishin thuajse të barabarta. E megjithatë, pompoziteti i dhënë përpara saj duket se ishte i tepruar krahasuar me atë çfarë dhanë në ring dy boksierët, nëse do të mund të krahasoje ndonjë sfidë të Muhammad Ali dhe Joe Frazier, gjatë viteve ’70.
Kujtojmë se ndeshja e parë e vërtetë e shekullit ka qenë përballja e parë mes Ali dhe Frazier, të cilët ishin të dy të pamposhtur dhe sërish e mbyllën sfidën me rezultat, duke munguar “knock down”-i.
Top Channel