Për herë të parë INSTAT ka realizuar botimin e Vjetarit Statistikor, duke analizuar rajonet më vete. Tashmë kemi një analizë të Shqipërisë së sotme në bazë të 12 qarqeve, ku bëhet një analizë me e thelluar e shifrave.
Për të folur për detajet e këtij botimi ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, Gjergj Filipi, drejtori i INSTAT.
***
Pandi Gjata: Cilat janë rezultatet e këtij botimi, e këtyre shifrave të reja të prodhuara nga INSTAT-i?
Gjergj Filipi: INSTAT-i ka bërë maksimumin që treguesit kombëtarë të disagregohen në nivel qarqesh në këtë rast. Jemi ndikuar edhe nga një botim i ngjashëm i EUROSTAT që bëhet për rajonet respektive të vendeve të Bashkimit Europian. Vjetari statistikor është në vazhdën e disa produkteve të reja që INSTAT po synon të nxjerrë. Disa muaj më vonë do të dalë edhe Vjetari i Vendit, me shifrat e plota të të gjitha zhvillimeve në Shqipëri, ndërsa pas disa javësh do të dalë edhe një analizë e shpërndarjes së të dhënave të Censusit të 2011, sipas kontureve të 61 njësive të reja lokale.
Pandi Gjata: Cilat ishin disa nga gjetjet më thelbësore të këtij botimi?
Gjergj Filipi: Në vetvete botimi nuk bën gjetje të kategorisë kombëtare, por është interesante të shohësh se si ndërveprimi i situatave, për shembull të ekonomisë, në optikën e qarqeve krijon një vizion të ndryshëm për zhvillimin e vendit. Nëse do të shohim GDP-në për frymë në Shqipëri sipas qarqeve kemi vetëm 3 prej tyre që kalojnë kufirin e mesatares kombëtare.
Pandi Gjata: Po për sa i përket lëvizjes së popullsisë nga njëri rajon në tjetrin, apo papunësisë, çfarë tregojnë këto të dhëna?
Gjergj Filipi: Ka disa gjetje interesante, si për shembull kemi lëvizjen në favor të dy qarqeve, të Tiranës dhe të Durrësit. Këto janë të vetmit qarqe me indikatorë pozitivë në këtë kontekst, pra që marrin nga qarqet e tjera. Kjo do të thotë se ndonëse popullsia shqiptare shfaq vitalitet në skaje, ai tenton të migrojë në këto qarqe.
Pandi Gjata: Meqenëse jemi në prag të fushatës, si mund t’i shërbejnë politikanëve këto shifra të INSTA-tit?
Gjergj Filipi: Një nga objektivat kryesorë të statistikave është t’i shërbejë politikbërjes, apo diskursit të gjerë publik mbi llogaridhënien. Ky botim nuk i shërben dot në vetvete diskursit politik se nuk adreson vetëm bashkitë, por adreson qarqet. Unë mendoj se ky është një produkt i vlefshëm. Ne në INSTAT jemi gjithmonë të hapur për akademikët, për mediet, por edhe për grupe të tjera interesi.
Pandi Gjata: Kur do të jetë gati botimi me shifrat e Censusit sipas 61 njësive të reja territoriale?
Gjergj Filipi: Javën e ardhshme besoj se do të jetë i publikuar. Por duhet të kemi parasysh që ato nuk janë shifra që kanë të bëjnë me situatën socio-ekonomike, por janë shifra të Censusit.
Pandi Gjata: Ju keni kryer edhe një anaizë të tregtisë në një periudhë 5 vjeçare. A mund të na thoni disa prej gjetjeve të kësaj analize?
Gjergj Filipi: Duke analizuar 5 vjet tregti të jashtme, importet dhe eksportet e vendit, dhe duke tentuar të bëjmë një analizë krahasuese me ecurinë e vendeve të tjera të rajonit, kuptojmë që dinamika e tregjeve ka ndryshuar. Vazhdon të dominojë dukshëm tregtia me vendet e BE-së. Por brenda vendeve të Bashkimit Europian apo brenda vendeve të Organizatës së Europës Qëndrore dhe Lindore, kuptohet se në brendësi të tyre ka flukse të ndryshuara gjatë këtij 5-vjeçari.
Pandi Gjata: INSTAT-i po punon edhe për disa produktet të tjera. Çfarë rëndësie kanë ato?
Gjergj Filipi: Do të vërejmë disa produkte që nuk janë pjesë e listës së statistikave zyrtare. Kemi të bëjmë me disa statistika që mund të jenë të vlefshme për publikun. Kush është emri më i famshëm në Shqipëri? Do ta mësoni së shpejti. Pra do të ketë një kategori të tillë të statistikës.
Top Channel