Qeveria shqiptare pretendon se fluksi i investimeve të huaja në Shqipëri është në nivele të kënaqshme.
Në një intervistë për “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel, zv.ministri i Ekonomisë, Ervin Mete, thotë se fokusi i qeverisë në vijim do të jetë investimi në turizëm, ndërkohë që është ngritur një Task Forcë që po evidenton problemet në lidhje me titujt e pronësisë, për të hequr kështu një nga barrierat kryesore që pengon hyrjen në vend të kapitalit të huaj.
***
TCH: Zoti zëvendësministër, pse duket se ecuria e investimeve të huaja në Shqipëri nuk është në nivelin e dëshiruar? A mund të na jepni disa tregues për këtë?
Ervin Mete: Nuk do të thosha që ecuria e investimeve të huaja nuk është në ritmin e dëshiruar. Në qoftë se shohim treguesit dhe vlerësimet për 2014-ën, por edhe trendet në vazhdim , vlerësimi është që ne investimet e huaja direkte i kemi rreth 7 apo 7.5 për qind të GDP-së, në një kohë që vendet e rajonit janë në nivele 2, 3 apo 4 për qind.
TCH: Duket se një nga pengesat kryesore që hasin sipërmarrësit e huaj është çështja e titujve të pronësisë. Si ka menduar ta zgjidhi qeveria këtë barrierë?
Ervin Mete: Projektet janë në vazhdim, ndërsa po diskutohet edhe një tjetër projekt me Bankën Botërore. Ka një ecuri të mirë të regjistrimeve, por ne po ndërmarrim edhe nisma të targetuara lidhur me investime të rëndësishme. Një prej tyre janë investimet në turizëm dhe ligji parashikon se ato zona që do të shpallen me përparësi për zhvillimin e turizmit do të kryhet regjistrim i veçantë nga ZRPP-ja (Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kjo do të thotë se në momentin që ka një planifikim dhe strategji për të zhvilluar investime, turistike në këtë rast, do të targetohet edhe problemi i pronësisë në mënyrë që mundet të ofrohet një ambient sa më i sigurt për investitorët. Ka një Task Forcë të ngritur nga Kryeministria për verifikimin e titujve në bregdet. Përtej kësaj ka edhe një grup pune që drejtohet po nga kjo ministri për verifikimin dhe evidentimin e pronave shtetërore dhe private, në mënyrë që ne të kemi një panoramë të qartë në bregdet.
TCH: Por duket se mjaft tërheqëse për investitorët e huaj janë zonat apo parqet industriale, të cilat ofrojnë lehtësi në komunikim, logjistik, apo edhe taksa. Çfarë ka menduar Qeveria shqiptare për këtë?
Ervin Mete: Për zonat ekonomike që ju i referoheni, ne kemi bërë në bashkëpunim me ekspertë të universitetit të “Harvard”-it një ligj, i cili pasqyron zonat e zhvillimit teknologjik të kombinuara me lehtësitë e një zone të lirë dhe me një sërë lehtësish fiskale. Ne mendojmë se këto paraqesin një ofertë shumë të mirë për zhvilluesit e këtyre zonave apo edhe për përdoruesit e nesërm, duke na vendosur në një pozitë të favorshme dhe atraktive edhe në rajon. Në këtë drejtim ne kemi disa konkurrentë të cilat kanë pasur sukses, siç është Maqedonia.
TCH: Por ku është përqendruar Qeveria për të përmirësuar kushtet e klimës së bërjes së biznesit në Shqipëri?
Ervin Mete: Është ndërmarrë një reformë dereguluese, e cila ka ndihmuar në biznes, si dhe paketat specifike të stimujve. Pra, paketa ‘fason’ ka pasur efekte të ndjeshme si në rritjen e eksporteve të kësaj industrie, në shifrat e makinerive dhe pajisjeve që janë investuar, po ashtu paketa e bujqësisë, paketa e plastikës, si dhe paketa në turizëm. Për zonat me rëndësi të veçantë ka pasur një përpjekje të targetuar dhe besoj të suksesshme nga Qeveria.
TCH: Së fundi Banka e Shqipërisë ka hartuar një raport, i cili flet për rënien e treguesit të besimit. Cili është komenti juaj për këtë?
Ervin Mete: Treguesi i besimit ka pasur një rritje të ndjeshme për rreth 5 tremujorë radhazi. Ky është një tregues që reflekton ndjeshmërinë. Duke pasur parasysh reformat e thella të Qeverisë, të cilat mund të kenë pasur edhe një kosto në publik, mund të reflektohet disi në ulje të lehta. E rëndësishme për t’u theksuar është se ky tregues qëndron mbi mesataren e vetë historike dhe në trendin e vetë është më mirë se në ciklin e qeverisë së kaluar.
Top Channel