Champions, Reali dhe Juventusi në gjysmëfinale

22/04/2015 00:00

Real Madrid dhe Juventus i bashkohen Bajernit dhe Barcelonës në gjysmëfinalet e Champions League, ndërkohë që për “zonjën e vjetër” kjo është hera e parë pas 12 vjetësh që e sheh veten mes 4 skuadrave më të forta të Europës.

Reali mposhti 1-0 Atletikon në ndeshjen e kthimit në “Santiago Bernabeu” dhe përveç kualifikimit regjistroi dhe fitoren e parë sezonale ndaj skuadrës së Diego Simeones.

Protagonisti i fitores së madrilenëve ishte Hernandez, i cili pasi shpërdoroi disa raste mjaft të mira arriti të shënojë golin që eliminoi Atletikon, e cila luajti për më shumë se 15 minuta me 10 lojtarë. Vazhdon kështu ëndrra e Carlo Ancelotti-t dhe e Realit për të fituar Champions-in e dytë radhazi.

Juventusi vuajti, rezistoi dhe në fund arriti të kualifikohej për në gjysmëfinalet e Champions. Skuadra italiane barazoi 0-0 me Monakon dhe falë fitores 1-0 në ndeshjen e parë arriti të kalonte në një tur që nuk e kishte parë që prej 12 vjetësh.

“Zonja e vjetër” ishte shumë larg Juventuesit që jemi mësuar të shohim. Tevez dhe Morata nuk e tërhiqnin skuadrën përpara, mesfusha nuk arrinte të ndërtonte lojën. Mbrojtja dhe portieri Bufon ishin të vetmit që ndalën sulmet e Monakos, e cila duhet ta ndjekë nga televizori fazën tjetër të këtij kompeticioni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA