Bajern Mynih dhe Barcelona janë dy skuadrat gjysmëfinaliste të Champions League. Bavarezët e Pep Guardiola-s u treguan të frikshëm duke shkatërruar 6-1 Porton, ndërkohë që katanalasit e Luis Enrique-s u konfirmuan më superior se PSG i yjeve, falë dy golave të Neymar.
Rezultati 3-1 i ndeshjes së parë mund të jetë një mision i pamundur për shumë skuadra, por jo për Bajernin, i cili falë presionit shkatërrues e përmbysi rezultatin që në pjesën e parë dhe i dha një mësim futbolli skuadrës portugeze.
Kampionët gjermanë shënuan 5 gola gjatë 45 minutave të para duke thyer Porton, e cila ishte skuadra e vetme që nuk kishte pësuar asnjë humbje deri në këtë fazë të Champions League.
Thiago Alcantara hapi serinë golave në minutën e 14-të, ndërsa më pas shënuan edhe Boateng, Lewandowski dy gola dhe Thomas Muller. Falë rezultatit të thellë ritmi i bavarezëve ra në pjesën e dytë, gjë e cila i dha mundësinë Portos të shënojë golin e parë me Martinez, i cili rezultoi i vetmi për ta. Goli I Xabi Alonso-s në fund vulosi fitoren e thellë të Bajernit, i cili vërtetoi se nuk njeh krizë pavarësisht mungesave të rëndësishme.
Barcelona fitoi edhe në ndeshjen e dytë ndaj PSG dhe kalon për herë të shtatë në 8 vitet e fundit në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni. Katalanasit dominuan edhe në “Camp Nou” ku shënuan dy herë me Neymar. Ky është goli i 30 i brazilianit këtë sezon dhe i 5 i shënuar në portën e francezëve të PSG, të cilët vazhdojnë të mos shpërblejnë pritjet e sheikëve arabë.
Top Channel