Në një shkëmbim zjarri mes dy grupeve të armatosura në një lokal në qytetin e Vlorës, tre persona humbën jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
Sipas policisë ngjarja ndodhi rreth orës 14:15 minuta në lagjen “24 Maji” në ambientet e lokal “Adore”.
Dy grupe personash janë konfliktuar duke përdorur armë zjarri dhe për pasojë kanë mbetur të vdekur 3 persona. Ata janë; shtetasit Alfred Velaj, 28 vjeç, Haki Rakipaj, 27 vjeç dhe Albi Limaj, 28 vjeç. I plagosur ka mbetur shtetasi Aleksandër Llanaj, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Policia njoftoi gjatë orëve të mbrëmjes se ka arrestuar 4 autorët e dyshuar të vrasjes së trefishtë. Ata janë Aleksandër Llanaj 23 vjeç, Ani Begaj, 36 vjeç, Bertil Alliaj, 23 vjeç dhe Xhuliano Lutaj, 20 vjeç.
Sipas Policisë së Vlorës, për katër të arrestuarit grupi hetimor ka grumbulluar prova që i përfshijnë këta shtetas si autorë dhe bashkëpunëtorë në ngjarje.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy pistoleta dhe janë bllokuar dy automjete BMW X5. Policia në vendngjarje ka ngritur grup të posaçëm hetimor me Prokurorinë dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Janë marrë në pyetje tre të ndaluarit dhe gjithë dëshmitarët në lokal.
Pistat e kësaj ngjarje janë disa, që nga sherri i çastit, te një konflikt i vjetër deri te larje hesapesh për çështje trafiqesh të ndryshme.
Sipas policisë pjesa më e madhe e personave të përfshirë në këtë konflikt janë persona me precedentë penale për vepra të ndryshme.
Top Channel