Partia Demokratike vendosi të mos kandidojë sërish për Bashkinë e Tiranës, kryetarin e saj Lulzim Basha.
Burime zyrtare e konfirmuan këtë lajm për Top Channel dhe shtuan se zoti Basha do ta deklarojë këtë vendim paraditen e sotme.
Ky është një vendim i pritshëm i kryetarit të opozitës, i cili zgjedh t’i përkushtohet plotësisht drejtimit të Partisë Demokratike.
Strukturat e kësaj partie ende nuk janë mbledhur për të shqyrtuar propozimet e bazës për Bashkinë e Tiranës, kjo pritet të ndodhë javën e ardhshme.
Të mërkurën, zoti Basha ka parashikuar një takim me aleatët në opozitë për të vendosur se si do të paraqiten në zgjedhje.
Sipas disa informacioneve në Partinë Demokratike mbizotëron ideja që ajo të mos u lërë aleatëve zona të lira dhe praktikisht të provojë të dalë e vetme në zgjedhje. Megjithatë kjo mbetet për t’u konfirmuar në ditët në vazhdim. E sigurt është se Bashkia e Durrësit nuk do t’i lihet Partisë Republikane me kandidatin e saj Agron Duka.
Partia Demokratike do të nisë procesin e kandidatëve pas datës 4 prill, pasi ajo të zhvillojë edhe dy protesta të rëndësishme anti-qeveritare, një në Shkodër më 2 prill, në ditën përkujtimore të katër të vrarëve të 24 viteve më parë dhe një në Vlorë në datën 4 prill.
Me deklarimin që do të bëjë sot zoti Basha hapet edhe gara e kandidatëve të Partisë Demokratike për Tiranën. Ajo që dihet brenda kësaj partie është se më i favorizuari është Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, si emri më i votuar nga strukturat e Partisë Demokratike të kryeqytetit.
Top Channel