Shumë pjesë nga jeta e zbardhur e pilotit të cilësuar si fajtor për rrëzimin e avionit të ‘Germanwings’, tregojnë se 28-vjeçari kishte luhatje të mëdha sjelljeje dhe humori.
Hetuesit, të cilët mblodhën të dhëna dhe prova materiale nga shtëpia e tij, morën në pyetje edhe të dashurën e Andrea Lubitz , identiteti i së cilës është ruajtur në kushte anonimati. Megjithatë vajza i pranoi ekspertëve se kohët e fundit marrëdhënia e tyre nuk po shkonte aq mirë, madje ata po kalonin një periudhë pauze.
Por vetëm 3 ditë përpara aksidentit tragjik ajror, Lubitz kishte blerë me llogarinë e tij 2 makina të ngjashme, modeli i fundit “Audi”, njërën për vete dhe tjetrën për të dashurën e tij. Por pavarësisht dhuratës, e cila me shumë gjasë do të rikuperonte marrëdhënien, lidhja e tyre sa vinte dhe përkeqësohej.
Çifti kishte edhe një apartament në periferi të qytetit të Dyseldorfit, ku bashkëjetonin pjesërisht, mirëpo kohet e fundit fqinjët bëjnë të ditur se nuk i kishin parë. Megjithatë pronari i një picerie aty pranë banesës së tyre, tregon se ata dukeshin një çift shumë i mirë, të qeshur e të dashur. Djali dukej shumë bujar, sipas tij. Por sa të vërteta janë këto fjalë për Andrea Lubitz?
Një seri tjetër të dhënash tregon se Lubitz po trajtohej prej 2 muajsh në spitalin e Dyseldorfit, pas provave që hetuesit gjetën në shtëpinë e tij. Mjekët kishin hartuar një raport mjekësor ku e kishin cilësuar djalin si të paaftë për të ushtruar profesionin për gjendje jo të mirë mendore, por 28 vjeçari nuk e kishte dorëzuar raportin te kompania ku punonte, ndoshta me frikën se mund të humbte kontratën për arsye mjekësore.
I përshkruar si një njeri, i cili gjatë gjithë jetës kishte ëndërruar që një ditë të bëhej pilot, dhe në momentin që e kishte realizuar ëndrrën, ajo t’i ikte prej duarsh, duket të ketë qenë një fakt i pakapërcyeshëm për Lubitz.
Miqtë e tij rrëfejnë sesi Andrea kishte një obsesion gjatë gjithë jetës për fluturimin, postera kudo në dhomën e tij, madje njëherë ishte shprehur se do të kishte vdekur nëse nuk do të kalonte testin e pilotimit.
A ishte rrëzimi i avionit një veprim egoist i Andrea Lubitz? Kjo është pyetja që ekspertët kërkojnë të verifikojnë dhe bëhet e ditur se hetimet do të vazhdojnë derisa e vërteta mos të lërë më hapësirë për hipoteza. Pas episodit tragjik të Germanwings, një sërë kompanish ajrore janë zotuar të ndryshojnë rregullat e tyre në mënyrë të tillë që nga sot e tutje, në kabinën e pilotit të jenë gjithmonë të pranishëm dy anëtarë të ekuipazhit.
Top Channel