Në Tiranë u organizua “Takimi Botëror i Paqes”, ku morën pjesë
presidentët e 38 Konferencave të Rregulltarëve, nga 27 vende të Europës.
Në fjalën përshëndetëse, Kryeministri Edi Rama tha se, historia e besimeve në Shqipëri ka sjellë një pasuri që pasuron më tepër këtë territor.
“Është fakt, që bëhet fjalë për një event me një rëndësi të posaçme për Komunitetin Katolik Shqiptar, i iniciuar nga Don Giovanni Peragine, i cili preferon, konform vokacionit të Barnabitëve, të mbajë në jetën mondane emërtesën e përvujtur të famulltarit të Milotit, përkundrejt asaj disi pompoze të kryetarit të Bashkimit të Eprorëve Rregulltarë të Europës. Ambicjen për ta bërë Shqipërinë, edhe një herë, një pikë takimi për artizanë të paqes dhe modestinë me të cilën organizuesit e ndërmorën një sfidë të tillë, pranova me shumë kënaqësi që të vij sot këtu për ta përshëndetur”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama komentoi rëndësinë që merr roli i Rregulltarëve në shoqëritë shqiptare.
“Urdhrat Rregulltarë Katolikë dhe Shqipëria kanë një të përbashkët unike: për ta, në gjirin e tyre, mes bijve të tyre, fjala communio, kungim, gjallon nga gjesti kuptimplotë i ndarjes së bukës dhe verës, realitet shugurues për besimtarin dhe simbol vëllazërie dhe miqësie për mbarë shqiptarin, për t’u shpërhapur e rrezatuar në një përmasë bashkëjetese që nuk njeh kufi. Ndonëse e panjohur, Shqipëria, tokë kontrastesh, ka qenë që në krye të herës një luadh pjellor për kultivimin e kungimit si filozofi e shkoqur bashkëjetese e vëllazërimi”, tha Rama.
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, e quajti këtë event si një shpreheje të mbështetjes së rregulltarëve për një vend, si Shqipëria, ku harmonia fetare është një shembull.
Top Channel