Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike është shprehur i pakënaqur në lidhje me progresin e kryer në muajt e fundit në lidhje me bashkëpunimin e Iranit mbi programin e tij bërthamor.
“Është e vërtetë se ne kemi pasur angazhim të Iranit për çështje me dimension ushtarak. Por në muajt e fundit, progresi ka qenë tepër i kufizuar”, u shpreh Yukiya Amano.
Komentet e kreut të Agjencisë së OKB vijnë para takimit të ditës së enjte, ku Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do të takohet me homologun e tij iranian Mohammad Javad Zarif për arritjen e një marrëveshjeje, në përpjekje për të frenuar programin bërthamor të Teheranit.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë se, takimi i së enjtes në Lozanë të Zvicrës ka ngritur spekulime se fuqitë e mëdha botërore janë pranë një marrëveshjeje me Teheranin.
Amano tha se është e nevojshme të ketë një përshpejtim të progresit, i cili deri tani ka qenë i kufizuar. Diplomati japonez dukej optimist rreth zbatimin të marrëveshjes, ‘nëse ajo është arritur’. “Nëse është rënë dakord për një marrëveshje, është në interes të Iranit që ta zbatojë atë”, tha Amano.
Top Channel