Janë shumë të pakta eventet sportive, të cilat bartin mbi vete të njëjtin pasion dhe pritshmëri si përplasja Real Madrid-Barcelona. Sfidat mes dy gjigantëve të Spanjës mbërthejnë rregullisht pas ekranit miliona tifozë jo vetëm në gadishullin Iberik, por anembanë botës.
Sot është pikërisht dita e madhe, kur spanjollë të panumërt, përfshi edhe ata që normalisht mund të konsiderohen si me “imunitet” ndaj sharmit dhe lojës së bukur, përfshihen nga entuziazmi i kësaj ngjarjeje madhore dhe mbron ngjyrat e të preferuarve të tyre.
Përgjatë dekadës së fundit, kur në Madrid vijon epoka e “galaktikëve” ndërsa Barça ka dominuar për shumë kohë futbollin europian, një numër i madh kampionësh të futbollit janë përplasur me njëri-tjetrin. Këtu mund të përmenden Roberto Carlos, Fabio Cannavaro dhe Zinedine Zidane, mes kryesorëve të “Los Blancos”, si dhe Ronaldinho apo yjet e Spanjës, kampione e botës në 2010-n: Xavi, Iniesta e Pique.
Gjithsesi, fakti që këto dy ekipe kanë kaq shumë “yje” në përbërjen e tyre nuk i dedikohet vetëm dekadës së fundit. Vite më parë, disa prej lojtarëve më të mëdhenj të futbollit botëror kanë zbritur në fushën e blertë me njërën prej këtyre dy fanelave: Di Stefano, Ferenc Puskas, Santillana, Hugo Sanchez, Emilio Butragueno dhe Michel (për Realin) dhe Ladislao Kubala, Luis Suarez, Johan Cruyff, Diego Maradona, Hristo Stoichkov, Ronald Koeman, Rivaldo dhe Romario (për Barçën).
Por, ekziston gjithashtu edhe një listë me emra edhe më “të mëdhenj”, të cilët ia vlen të përmenden për guximin dhe vendimet kurajoze për të këmbyer klubet. Di Stefano, Bernd Schuster, Michael Laudrup, Luis Enrique, Luis Figo dhe Ronaldo janë vetëm disa prej yjeve, që u kanë thyer zemrat shumë prej tifozëve të zjarrtë dhe të apasionuar prej tyre, duke u përballur me akuzat për aktin e pafalshëm të “tradhëtisë”.
Real Madrid-Barcelona janë përplasur për herë të parë në vitin 1902, një ndeshje e fituar 3-1 nga katalanasit. Ndërsa ndeshja e parë për kampionat regjistrohet në 1928-n, kur “merenguesit” i shaktuan një humbje të rëndë “blaugranave”.
6 vjet pas sfidës së 1928-s, Reali i Madridit tronditi “los Cules” 8-2, në një ndeshje të kampionatit të 1935-s, e megjithatë Barcelona e udhëhequr prej hungarezit Ladislau Kubala për pak sa nuk u hakmor kur triumfuan 7-2 në shtëpinë e tyre, në vitin 1950.
Sfidën Barcelona-Real Madrid mund ta ndiqni sonte, në 21:00, në Supersport.
Top Channel