
Fati i vendosi sërish përballë njëra-tjetrës, por këtë herë jo në
finalen e madhe. Reali dhe Atletiko do të luftojnë për një biletë në
gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve duke u përballur për herë të shtatë
dhe të tetë brenda një sezoni.
Reali fitoi finalen e vitit të kaluar në Lisbonë me rezultatin 4-1 të vulosur vetëm në kohën shtesë. Që pas kësaj finaleje dy skuadrat janë përballur gjashtë herë me njëra-tjetrën, në Superkupën e Spanjës, kampionat dhe Kupën e Mbretit. Nga këto takime Atletiko ka fituar katër dhe dy të tjera kanë përfunduar në barazim.
Kjo është përballja e tretë mes dy skuadrave rivale të kryeqytetit spanjoll, pas finales së vitit të kaluar dhe takimit të përfunduar 2-2 në gjysmëfinalet e sezonit të largët 1958-1959.
Atletiko është një “kockë e fortë” edhe për skuadrat e tjera spanjolle në kupat e Europës dhe këtë e tregojnë edhe statistikat. Në 11 ndeshje kundër patriotëve të vet, “madrilenët e vegjël” kanë fituar gjashtë dhe kanë humbur vetëm dy.
Por kur bëhet fjalë për një kundërshtar si Reali, statistikat nuk mund të merren shumë për bazë, ndaj edhe drejtori teknik i Atletikos, Clemente Villaverde.
“Futbolli s’ka kujtesë, jetohet ditë pas dite. Do të gabonim rëndë nëse do mendonim për rezultatet e së shkuarës. Ajo që ka rëndësi është e tashmja”, tha ai.
Diego Simeone premtoi një ndeshje të madhe.
“Janë kundërshtarë të mëdhenj, ashtu si edhe shtatë skuadrat e tjera në këtë fazë të Ligës së Kampioneve. Na pret një ndeshje e madhe përpara”, tha ai.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Realit, Emilio Butragueno pasi vlerësoi cilësitë e kundërshtarit kërkoi që të mos krahasohen ndeshjet e kampionatit apo kupës me ato të Ligës së Kampioneve.
“Janë një skuadër e kompakte që pësojnë pak gola dhe këtë e kanë treguar edhe në ndeshjet e tjera që jemi përballur këtë sezon. Megjithatë, Liga e Kampioneve është krejt ndryshe. S’i dihet kurrë nëse ndeshja e dytë në shtëpi është një avantazh. Ne duhet të japim më të mirën sepse e njohim vështirësinë me të cilën do përballemi”, tha ai.
Top Channel