Në kohën kur qeveria irakiane pretendon vazhdimin e avancimit në Tikrit, e thotë se fitorja në vendlindjen e ish-diktatorit Sadam Husein është shumë e afërt, Shteti Islamik raportohet të ketë pranuar aleancën e grupit militant nigerian Boko Haram.
Një mesazh audio, ende i paverifikuar, përcjell komentet e një zëdhënësi të ISIS-it, se qëllimi i grupit të dhunshëm për krijimin e një kalifati islamik, tanimë është shtrirë edhe në Afrikën Perëndimore.
Një javë më parë, Boko Haram postoi një mesazh në internet, ku shprehte dëshirën për t’iu bashkuar organizatës xhihadiste. Ai vetë ka që në 2009-n, që tenton përmes një fushate të egër ushtarake të imponojë sundimin islamik në veriun e Nigerisë.
Konflikti, që prej atëherë është përhapur ngadalë edhe në shtetet fqinje.
Në mesazh, personi që e identifikon veten si zëdhënësi i ISIS-it, Mohammed al-Adnani, thotë: Ju njoftojmë lajmin e mirë të shtrirjes së kalifatit në Afrikën Perëndimore, sepse kalifi e ka pranuar aleancën e vëllezërve tanë të grupit sunit për predikimin dhe xhihadin.
Ai i nxit gjithashtu muslimanët të bashkohen me militantët në Afrikën Perëndimore, duke hedhur poshtë raportet se forcat irakiane dhe koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kanë shënuar së fundi një sërë fitoresh në luftën kundër Shtetit Islamik në Irak e Siri.
Por sipas pohimeve të Bagdadit zyrtar, avancimi në terren ndaj ekstremistëve vazhdon, e Tikriti është kthyer në shembullin më të mirë ilustrues të momentit.
Militantët e ISIS-it ende kanë në dorë kompleksin rezidencial të ndërtuar nga Sadam Husein e numërojnë edhe disa xhepa rezistence nëpër qytet, por zyrtarët e ushtrisë irakiane shprehen të bindur se marrja e Tikritit dhe periferive të tij është thjesht çështje ditësh, edhe pa ndihmën e sulmeve ajrore amerikane.
Top Channel