Raporti për Shqipërinë, FMN: ‘Paqja Fiskale’ minon progresin në administrimin tatimor, rrezikohet qëndrueshmëria fiskale Ndonëse ka qëndruar në ekuilibër me euron, leku është zhvlerësuar me ritme të forta ndaj të gjitha monedhave të tjera kryesore të botës.
Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se prej ditësh dollari amerikan e ka kapërcyer kuotën e 130 lekëve, ndërsa paundi britanik për herë të parë po këmbehet në tregun e brendshëm me gati 200 lekë.
Këto kuota historike në kursin e këmbimit janë rezultat i një zhvlerësimit të vazhdueshëm të lekut ndaj monedhave më të mëdha të botës, që nga fillimi i vitit.
Sipas të dhënave të BSH, krahasuar me fundin e vitit të kaluar, leku është dobësuar me 11.1 për qind ndaj paundit, 13.3 për qind ndaj dollarit dhe po në ritme dyshifrore ka humbur terren edhe ndaj frangës zviceriane e jenit japonez.
Ky është një ritëm shumë i fortë dobësimi, i ngjashëm me atë që monedha kombetarë përjetoi në vitin 2009. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thonë se këto lëvizje, pasqyrojnë atë që ka ndodhur në tregjet ndërkombëtare të valutave, por me një veçori.
Leku ndjek me përpikmëri euron dhe çdo dobësim i monedhës europiane ndaj dollarit, paundit apo çdo monedhe tjetër përcillet automatikisht edhe si dobësim i tij ndaj tyre. Një situatë e cila ka ngritur pyetjen se çfarë është duke ndodhur në tregun valutor dhe pse leku po ndjek me përpikmëri fatin e euros.
Shqipëria ka një regjim të lirë në kursin e këmbimit, por duket sikur kursi euro-lek është i fiksuar. Në kushte normale euro duhet të ishte dobësuar edhe ndaj lekut, por kjo nuk ka ndodhur.
Ekspertët thonë se kjo situatë është tërësisht rezultat i tregut dhe transaksioneve të lira që individët zhvillojnë në të. Sipas tyre, vetë tregu, individët dhe bizneset duket se duan një kurs stabël euro-lek, pavarësisht asaj që ndodh me monedhat e tjera.
Top Channel