Pas një sulmi në një zonë me naftë të Libisë, 9 punëtorë të një kompanie të ‘arit të zi’, besohet se kanë rënë në duart e militantëve të ISIS.
Pengjet janë të nacionaliteteve të ndryshme, çekë, filipinas, ganezë, si edhe një tjetër, i cili besohet të jetë shtetas amerikan.
Plani për rrëmbimin e tyre u realizua, teksa 9 personat ishin në turnin e natës si roje për kompaninë austriake të naftës, “Vaos”. Deri tani bëhet e ditur se subjekti ku përpunohet ‘ari i zi’ është aleat i ngushtë i qeverisë libiane.
Qeveria e Libisë ka fajësuar menjëherë xhihadistët e ISIS për sulmin, duke e cilësuar si një kërcënim të radhës. Rrëmbimet vijnë në një situatë të përkeqësuar mes ushtrisë libiane dhe grupit ekstremist.
Ndërkohë kërkimet për vendndodhjen e pengjeve kanë nisur dhe në këtë operacion, Libisë i janë bashkuar autoritetet filipinase dhe austriake.
Pengmarrja nuk ndodhi rastësisht në një nga kompanitë e naftës, pasi ajo është burimi kryesor i të ardhurave për Lindjen e Mesme. Vetë krerët e xhihadit kanë deklaruar synimin e tyre për të pushtuar të gjitha burimet e ‘arit të zi’, pasi për ta kjo përkthehet në fuqi të madhe ekonomike, i ndihmon për të mbajtur rrjetin e tyre të mirëorganizuar, por jo vetëm.
6 biznesmenë sirianë po përballen me sanksione nga Bashkimi Evropian, pasi kanë blerë naftë nga Shteti Islamik, për qeverinë e Presidentit Bashar al-Asadit. Militantët, të cilët zotërojnë një të tretën e Sirisë dhe Irakut po zgjerojnë politikat e tyre për një fuqizim edhe më të madh të kalifatit.
Top Channel