
Sot në mbrëmje do të përcaktohen dy skuadrat e tjera çerekfinaliste të Champions League nga përballjet Chelsea-PSG dhe Bayern Munchen-Shakhtar.
Chelsea duket i bindur për të kaluar më tej pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Paris. Skuadra e Jose Mourinho vjen në këtë ndeshje pasi ka fituar Kupën e Ligës, ku mundi Totenhemin në finale. Gjithsesi portugezi po përpiqet ta fokusojë skuadrën e tij tek përballja e mbrëmjes së sotme.
Mourinho shtoi se në krahasim me ndeshjen e parë duhen bërë disa ndryshime, pasi skuadra e tij nuk ishte shumë agresive. “Jam befasuar nga takimi i parë në Paris, pasi një skuadër si ata, me aq shumë elementë të mirë shkaktuan aq shumë ndërhyrje të parregullta. Nga ana tjetër, nuk i lejohet një skuadre të Premier League të pësojë presionin e një skuadre tjetër”, përfundoi Mourinho.
Nga ana tjetër, edhe Laurent Blanc e ka përgatitur skuadrën e tij për një kualifikim të mundshëm për në çerekfinale, duke u kërkuar lojtarëve të jenë më kërkues në sulm. PSG vjen në këtë ndeshje pas fitores 4-1 ndaj Lensit. Një vit më parë, kur skuadra franceze u eliminua nga Chelsea, nuk kishte në dispozicion Zlatan Ibrahimoviç, por suedezi tashmë është i gatshëm, dhe ashtu si në ndeshjen e parë, mund të jetë protagonist i kësaj ndeshjeje.
Në takimin tjetër mes Bajernit dhe Shakhtarit situata duket më e thjeshtë për gjermanët. Pavarësisht barazimit 0-0 në ndeshjen e parë, Guardiola është i bindur se i kanë të gjitha shanset për të kaluar për në çerekfinalen e Champions League.
Në këtë ndeshje, Bajernit do t’i mungojë Xabi Alonso, i cili u penalizua me të kuq në ndeshjen e parë.
Këto dy çifte si gjithmonë do të keni mundësinë t’i ndiqni drejtpërdrejt në paketën Supersport të platformës Digitalb, duke filluar nga ora 20:00.
Top Channel