
Një gol i shënuar nga pika e bardhë në minutën e 66 nga Shkëmbi vendosi fatet e kryendeshjes së javës së 25 të Kategorisë Superiore.
Skënderbeu mori 3 pikët dhe vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, menjëherë pas Kukësit, falë fitores së arritur ndaj Tiranës në Korçë.
Pjesa e parë e takimit ishte e balancuar, me të dyja skuadrat që rrezikuan pak portat respektive. Rezultati zhbllokohet në minutën e 66, kur gjyqtari i takimit jep një 11-metërsh të dyshimtë pas rrëzimit të Berishës në zonë.
Më herët Kukësi ka mposhtur me rezultatin 5-2 skuadrën e Teutës duke mbajtur kreun e tabelës me një pikë më shumë se Skënderbeu.
Ndërkohë Partizani fitoi 2-1 ndaj Flamurtarit, megjithëse vlonjatët mbyllën pjesën e parë në avantazh. Ndeshja ka ngjallur dyshime për trukim edhe nga vetë Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi i cili ngriti akuza edhe ndaj vetë të tijëve.
Sa i takon ndeshjes tjetër, Laçi fitoi minimalisht 1-0 ndaj Vllaznisë, për të cilën debutoi me humbje trajneri Zmijani.
Pas këtyre takimeve, Kukësi mbetet në krye me 52 pikë, ndjekur nga Skënderbeu me 51 e më pas Partizani e Tirana me nga 47 pikë, por me një ndeshje më pak, derbin mes tyre.
Top Channel