Ja pse Shqipëria u zgjodh vend organizator i Kampionatit Botëror të Fluturimeve të Lira

04/03/2015 00:00

Për herë të parë në Shqipëri do të organizohet Kampionati Botëror i Fluturimeve të Lira. Alket Islami, Drejtor Ekzekutiv i “Albanian Open”, foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, duke dhënë arsyet se pse u zgjodh Shqipëria si vend organizator, si dhe shpjegoi detajet e mbajtjes së eventit.

Për aeronautikën shqiptare organizimi i këtij eventi shënon një fitore, duke i hapur njëherësh edhe më shumë dyert për sportet që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me natyrën.

Pandi Gjata: Do ta nisim me eventin që organizohet për herë të parë në Shqipëri. Kush e vendosi dhe pse u zgjodh Shqipëria?

Alket Islami: Ardhja e këtij eventi të madh në Shqipëri ishte si pasojë e aktivitetit të “Albanian Open”, të edicioneve që kanë filluar nga viti 2000 deri tani. Para dy vjetësh, stafi ynë vendosi, edhe me përkrahjen e shteteve fqinje, që ne ta çonim kërkesën në FAI. Ne patëm fatin që e morëm këtë eveniment, pasi është hera e parë që do të zhvillohet në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin. Pse u zgjodh Shqipëria? Këto aktivitete bëhen në vende piktoreske dhe më joshëse për turizmin, ku ne kemi LLogaranë dhe Vlorën. Prezantimi jonë ishte shumë interesant, pasi ne u paraqitëm me një videoklip të gjatë, rreth 7 minuta, të gjithë asaj që ne ofronim në Dhërmi, Llogara dhe në Vlorë. Aq më tepër që gjysma e shteteve që ishin në votim, pilotët e tyre kishin ardhur në Shqipëri dhe natyrisht që ata votuan dhe lobuan për ne.

Pandi Gjata: Dhe si ishte votimi?

Alket Islami: Votimi ishte një emocion i madh. Ishin tre shtete që konkurruan, Shqipëria, Kina dhe Gjermania. Kina kishte dy vite që e kishte prezantuar ofertën e saj, ndërsa Gjermania është futur në momentet e fundit. Hyrja në garë e Gjermanisë na frikësoi disi, pasi mund të kishte shumë shtete që do të votonin atë. Deri një natë para votimin, asgjë nuk ishte e sigurt. Më pas, ditën e vendimit, Shqipëria u prezantua me një klip 7 minuta, ndërsa dy vendet e tjera u prezantuan me “PowerPoint”, çka ishte në favorin tonë. Pas përfaqësimit të Shqipërisë pati duartrokitje dhe një ndryshim të idesë së disa shteteve për vendin tonë. Zelanda e Re thoshte para prezantimin se nuk kishte informacion se ku bie Shqipëria, kur panë prezantimin, ndryshuan mendim. Votimi, i cili u zhvillua në Beograd, ishte elektronik dhe Kina doli e para nga votimi. Shqipëria dhe Gjermania ngelën të vetme dhe aty lindi frika se mos vendet aziatike do të votonin për Gjermaninë, por votimi i dytë ishte spektakolar. Përfaqësuesit e Kinës erdhën dhe na përgëzuan, duke na thënë se ne jemi dy vende mike. Kur pash moshën e personit që erdhi dhe më takoi thash që, filmat shqiptarë me Timo Fllokon dhe Yllka Mujon kanë bërë të vetën.

Pandi Gjata: Dhe sa vota mori Shqipëria?

Alket Islami: Shqipëria mori 28 vota nga 40 që ishin gjithsesi.

Pandi Gjata: Sa shtete dhe sa sportistë parashikohet që të jenë në 2017-ën në Shqipëri?

Alket Islami: Ne arritëm të fitonim të drejtën e zhvillimit të këtij eventi, por tani shumë e rëndësishme është pjesa e menaxhimit, sepse Kampionati Botëror vjen në Shqipëri në dy vite. Në 2016-ën është “Pre World Championships”, ku do të jenë të pranishëm, përveç sportistëve edhe komisioni i FAI-t, të cilët do të shohin të metat apo mangësitë për gjëra që nuk shkojnë dhe mund të rregullohen. Në këto dy vite në Shqipëri do të vinë më shumë se 150 pilotë nga e gjithë bota.

Pandi Gjata: A e keni kapacitetin për të pritur gjithë këta pilotë dhe këtë eveniment botëror?

Alket Islami: Sigurisht që kemi dhe mendoj se do të realizojmë diçka shumë të rëndësishme. Përveç aktivitetit, një vend të rëndësishëm zë edhe akomodimi dhe koha e lirë për të pranishmit. Në 10 ditë do të ketë edhe turizëm dhe spektakël, të gjithë këto elementë do të bëjnë maksimalen e ofertës së Shqipërisë. Dhërmiu dhe Vlora janë zgjedhur posaçërisht për të treguar edhe resurset e kësaj zone dhe mbi të gjitha do të jetë një panair agroturizmi. Ende nuk e kemi vendosur, por mendojmë që në logon e aktivitetit do të jetë një gjethe dhe një kokërr ulliri.

Pandi Gjata: Pra fluturimet do të zhvillohen në 10 ditë në Vlorë dhe në Dhërmi?

Alket Islami: Dy ditët e para të aktivitetit do të zhvillohen në Dhërmi, pastaj të gjithë do të shpërngulen në Vlorë. Këtë e kemi bërë për të pasur një gjatësi sa më të madhe të ofertës sonë turistike, sepse në radhë të parë promovojmë të gjithë zonën dhe pjesën më të volitshme të rivierës sonë.

Pandi Gjata: Çfarë do të thotë për Shqipërinë ky Kampionat Botëror dhe për aeronautikën shqiptare? Kujtoj që ky vit për “Albanian Open” është i 16-ti i fluturimeve…

Alket Islami: Është i 16-ti, por ne jemi klubi i Federatës Shqiptare të Aeronautikës dhe për sportet e ajrit është një fitore shumë e madhe e federatës sonë. Kjo tregon se sportet e natyrës po afrojnë çdo ditë e më shumë persona. Të mos harrojmë që ne jemi në një vështirësi shumë të madhe, pasi gjysma e pilotëve janë shqiptarë dhe kjo është një arritje. Kur është zhvilluar për herë të parë  “Albanian Open” ishin vetëm dy shqiptarë, ndërsa tani janë mbi 40 pilotë. Në Kampionatin Botërorë, për herë të parë në Vlorë, nuk do të kemi shqiptarë pa fund, por do të kemi ekip kombëtar. Shpresojmë që këtë vit edhe Kosova të anëtarësohet me të drejta të plota në FAI dhe të marrë pjesë në Kampionatin Botëror me 5 pilotë, 4 meshkuj dhe një femër, po ashtu si edhe Shqipëria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA