
Stadiumi “Skënderbeu” në qytetin e Korçës prej orësh është pa energji elektrike, ndërsa shkak i ndërprerjes duket se është një borxh i pashlyer ndaj kompanisë OSHEE.
Sipas të dhënave, rreth 4 milionë lekë janë faturuar përgjatë muajve në stadiumin e Korçës, por për shkak se ato nuk janë paguar OSHEE ka marrë masa, duke ndërprerë energjinë.
Debia është akumuluar muaj pas muaji, çka ka bërë që nga punonjësit e OSHEE-së të pritet energjia, edhe pse e mërkura është parashikuar si një ditë ndeshjeje për ekipin e Skënderbeut.
Pavarësisht se ekipi është në prag të një ndeshjeje të rëndësishme, që do të luhet në fushën e Skënderbeut, duket se kjo situatë mund të rrezikojë që, nëse nuk gjendet një zgjidhje, ndeshja të mos zhvillohet, gjë që do të ishte njësoj si një humbje për ekipin e “ujqërve të dëborës”.
Kjo situatë duket se ka alarmuar klubin e Skënderbeut, përfaqësues të të cilit janë duke negociuar rreth zgjidhjes së këtij problemi.
Top Channel