Shtyhet edhe testimi i mjekëve, Beqaj: Do të përgatitemi për gjykatë

26/02/2015 00:00

Pas vendimit të Gjykatës Administrative për pezullimin e testimit të infermierëve deri në gjykimin në themel të padisë së paraqitur nga “Urdhri i infermierëve”, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja është shprehur se do të zbatohet ky vendim, por njëkohësisht do të përgatiten për mbrojtjen në gjykatë.

“Do të zbatojmë vendimin e sotëm, që do të thotë se testimi i parashikuar për të shtunën dhe të dielën nuk do të kryhet. Më pas ne do të përgatitemi për të paraqitur argumentet tona se pse testimi duhet bërë dhe është i ligjshëm”, tha Beqaj.

Edhe pse gjykata vendosi për testimin e infermiereve, ministri Beqaj bëri të ditur se testimi do të pezullohet dhe për mjekët.

“Nëse gjykata do të vendosë kështu, atëherë ne do të na duhet të rishohim edhe një herë bazën ligjore të proceseve të zhvillimit të burimeve njerëzore, të vlerësimit të njohurive, të edukimit në vazhdim dhe të testimit”, shprehet ministri i Shëndetësisë.

I pyetur nëse gjykata do të vendosë në përfundim të gjykimit, anulimin e testimit, ministri i Shëndetësisë është shprehur: Në kushtet që është bllokuar procesi i testimit të infermierëve është normale që ne të mos bëjmë veprime të reja administrative me mjekët, sepse praktikisht konteksti është po ai. Nuk do të fillojmë një procedurë testimi për mjekët për sa kohë jemi në çështje vlerësimi dhe gjykimi.

Por a ka ndikuar vendimi i gjykatës për një reflektim të ministrisë për anulimin përfundimtar të testimit të mjekëve dhe infermierëve?

“Vendimi i sotëm, jo. Nuk ka asnjë arsye. Gjykata e çmoi që deri sa të gjykohet në themel të ngrihet ky proces. Sigurisht që vendimi në themel do të na bëjë ne që të bëjmë arsyetimet tona dhe të marrim hapa të reja në funksion të vendimit të gjykatës. Le të presim se çfarë do të thotë gjykata për këtë mënyrë testimi dhe pastaj të shohim mënyrat e tjera sipas vendimit të gjykatës, nëse do të na duhet të ndryshojmë edhe ne mënyrat e ndryshimit të njohurive”, tha Ilir Beqaj.

Sipas ministrit të Shëndetësisë problematikë më e madhe se vetë testimi është fakti se 36% e mjekëve, 28 % e infermierëve dhe 52 % e stomatologëve, nuk kanë kreditet e nevojshme për të ushtruar profesionin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA