
Gjykata Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, njohur si CAS do të dëgjojë më 16 dhe 17 prill Serbinë dhe Shqipërinë në lidhje me incidentin e ndodhur në takimin Serbi-Shqipëri të 14 tetorit të kaluar në stadiumin “Partizani” të Beogradit.
Në adresë të Federatës Shqiptare të Futbollit është nisur njoftimi për nisjen e seancave gjyqësore në këto data.
FSHF i ka ankimuar vendimet e të dyja komisioneve të UEFA-s, si të Disiplinës ashtu edhe të Apelit. Shqipëria kërkon tri pikët në tavolinë për shkak të dhunës së ushtruar ndaj futbollistëve shqiptarë nga huliganët që hynë në fushën e lojës, për shkak të hedhjes së sendeve të forta dhe flakadanëve në fushë dhe për koret me fyerje raciste, që kanë vazhduar gjatë gjithë kohës.
Fillimisht Disiplina e më pas Apeli dënuan Shqipërinë me humbje të ndeshjes në tavolinë për shkak të refuzimit për të ridalë në fushë. Serbisë iu dha fitorja 3-0, por iu zbritën 3 pikë për incidentet e shkaktuara.
Top Channel