
Skënderbeu, Kukesi, Laçi dhe Tirana janë skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Surpriza e kësaj faze ka qenë eliminimi i turpshëm i Partizanit, i cili pavarësisht fitores 2-0 në ndeshjen e parë, është mundur 3-0 në Laç.
Një ndeshje e fituar lehtë nga vendasit, aq sa janë ngritur dyshime të forta për tolerim nga ana e Partizanit. Të kuqtë shkaktojnë brenda 2 minutave 2 penallti dhe mbeten me 10 lojtarë, ndërkohë që për minutat e mbetura deri në shtesën e 119-të kur pësoi edhe dy golat e jerë, ka treguar pak interes për lojën.
Një paraqitje e dobët për të mos thënë më shumë për skuadrën e Partizanit, emri i së cilës tashmë përflitet për aleanca në rastin më të mirë dhe dyshime shumë të forta për tolerim rezultati.
Ndërkohë, në Korçë vendasit e Skënderbeut kanë mundur 3-1 Flamurtarin duke kaluar më tej. Ajo që vlen të përmendet për këtë ndeshje padyshim është goli spektakolar nga mesi i fushës i kapitenit Bledi Shkëmbi, i cili do të mbahet mend gjatë, ndërkohë që dy golat e tjerë u shënuan nga Osmani dhe Berisha.
Tirana ka mundur 3-0 në ndeshjen e kthimit në Fier Apolloninë. Kryeqytetasit, ndryshe nga ndeshja e parë, kanë luajtur me formacionin bazë që në fillim duke dominuar lojën dhe për asnjë moment nuk i dhanë mundësinë kundërshtarit që t’i rrezikonte kualifikimin e mëtejshëm.
Në ndeshjen tjetër, atë mes Kukësit dhe Vllaznisë, verilindorët janë kualifikuar falë rezultatit të ndeshjes së parë pasi në Kukës gjithçka përfundoi në barazim pa gola.
Sa i përket çifteve gjysmëfinaliste, pritet të hidhet shorti, ndërkohë që ndeshjet do të luhen në muajin prill.
Top Channel