
Mitt Romney përjashtoi këtë të premte futjen në garë për të fituar kandidaturën e republikanëve për President gjatë zgjedhjeve të 2016-s. Romney, ish-guvernator i Massachusetts, e bëri të ditur vendimin e tij gjatë një videokonference me një grup të vogël këshilltarësh.
“Pasi shqyrtova mendimet e konsiderueshme për të garuar sërish për President, vendosa që të tërhiqem dhe t’u jap mundësinë udhëheqësve të tjerë në Partinë Republikane për të fituar kandidaturën e ardhshme”, tha Romney gjatë bisedës.
Duke u tërhequr nga përpjekja e tretë për një mandat në Shtëpinë e Bardhë, Romney çliron kështu dhjetëra donatorë dhe operes të cilët ishin duke pritur vendimin e tij, si dhe krijon hapësira për kandidatë të tjerë potencialë të qendrës së djathtë, si për shembull Jeb Bush.
Romney, 67 vjeç, shprehu sërish interesimin e tij për një tjetër garë presidenciale ndaj një grupi donatorësh në fillim të këtij muaji, duke turbulluar garën e saponisur mes republikanëve. Shumë prej kontribuesve besnikë të tij, anëtarë stafi dhe mbështetës, u shfaqën të gatshëm për t’u përballur me rivalët e tij potencialë, përpara se të mësonin planet e Romneyt.
Por, flirtimi i tij ka nxitur edhe një betejë të ashpër mes qarqeve republikane, duke bërë që disa prej ish-ndihmësve dhe donatorëve të Romneyt të lëviznin drejt kandidatëve të tjerë.
Më 11 të mbrëmjes së të enjtes, një email shpërthyes ishte dërguar nga një adresë “mittromney.com”, duke paralajmëruar mbështetësit në lidhje me videokonferencën që do të mbahej mëngjesin e së premtes.
“Ju lutem bashkohuni me mua për një deklaratë tepër të rëndësishme mëngjesin e nesërm”, shkruhej në njoftimin e Mitt Romneyt, ku citohej edhe orari i mbajtjes dhe informacionet për t’iu bashkuar asaj, e që përfundonte me një urim ‘gjithë të mirat nga Mitt’.
Vendimi i Romneyt i jep kështu fund synimit të tij prej një dekade për t’u bërë President i SHBA-ve. Ai humbi zgjedhjet presidenciale në vitin 20008 mes republikanëve, përpara se sa të fitonte kandidaturën e kësaj partie 4 vite më vonë, ku u mposht nga Presidenti aktual Barack Obama.
Top Channel