Mazhoranca rrëzon dekretet e Presidentit, akuza nga opozita

29/01/2015 00:00

Demokratët kundërshtuan në Kuvend rrëzimin e dekretit të Presidentit për ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë, që parashikon ngritjen e një Këshilli Konsultativ pranë kreut të shtetit me përbërje krerët e institucioneve të drejtësisë.

Demokratët e cilësuan si marrje të kompetencave të Presidentit, ngritjen
e Këshillit Konsultativ pranë tij për emërimet e anëtarëve të kësaj
gjykate, që përben edhe thelbin e ndryshimeve ligjore që kreu i shtetit i
kishte kthyer mazhorancës në Kuvend.

“Të lëmë hipokrizitë, të lëmë mashtrimin dhe arrogancë dhe t’u themi troç qytetarëve, na duhet Gjykata e Lartë për ta kapur”, tha deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi.

“Shqetësimi se në po kapim sistemin me ngritjen e këtij këshilli, kjo është një përrallë që nuk ua beson njeri, nuk e besoni as vetë. Ky është një hap që ne shpresojmë të zgjidhë një ngërç të krijuar, por kryesorja është për të vendosur një standard tjetër europian në Gjyqësorin shqiptar”, deklaroi kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj.

Parlamenti votoi edhe tre anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Gëzim Veleshnja, Edlira Jorgaqi dhe Denar Biba. Ky i fundit rikthehet dy vjet pas dorëheqjes nga KQZ dhe një muaj e gjysmë pasi dha dorëheqjen nga detyra më e fundit, ajo e kreut të Komisionit Shtetëror të tenderave, fakt që nuk u la jashtë vëmendjes nga ish-kryeministri Berisha.

“Nuk është normale që nga e gjithë shumica të zgjidhni një njeri, të cilin para një muaji e gjysmë e keni shkarkuar pa dhënë asnjë motiv së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit. E shkarkuar për tendera nga Rama dhe e sillni në një tjetër pozicion”, ka thënë deputeti i Partisë Demokratike Sali Berisha.

“Fakti që ka probleme me zotin Rama është mirë për opozitën, pasi forcon pavarësinë e institucionit”, reagoi kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Menjëherë pas votimit tre anëtarët e propozuar nga mazhoranca për në KQZ, bënë edhe betimin, duke plotësuar në këtë mënyre trupën   e institucionit më të lartë zgjedhor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA