Politikani serb nga Mitrovica Veriore, Kërstimir Pantiç, ka vendosur të mos rikandidojë për kryetar komune në zgjedhjet e jashtëzakonshme, që do të mbahen më 23 Shkurt.

Këtë e bëri të ditur vet Pantiç, në një deklaratë për Top Channel nëpërmjet telefonit. Ai theksoi se nuk do të marrë pjesë në një proces me simbole të së ashtuquajturës – sipas tij – Republika e Kosovës dhe se rikandidimi do të konsiderohet, vetëm nëse Prishtina zyrtare heq dorë nga këto kërkesa.

“Nuk besoj që do të rikandidoj sërish. Kjo, për shkak se Prishtina zyrtare insiton sërish, që materiali zgjedhor të jetë me simbole dhe me mbishkrime të së ashtuquajturës Republikë e Kosovës. Në rast se në ditët në vazhdim do të ketë ndryshim të kësaj kërkese të Prishtinës, atëherë them se do e mendoj edhe njëherë çështjen e rikandidimit. Unë nuk jam i njoftuar, nëse përfaqësuesit e ‘Lista Qytetare Serbe’ kanë deklaruar se nuk do të më kandidojnë si kryetar për Veriun e Mitrovicës. Iu rikonfirmoj edhe njëherë se me këto kushte aktuale, siç janë, unë nuk besoj se do të rikandidoj”, tha Kërstimir Pantiç, kandidat potencial për kryetar të Mitrovicës Veriore.

I nominuar nga “Lista Serbe” dhe i përkrahur nga qeveria e Serbisë, Kërstimir Pantiç doli fitues në zgjedhjet lokale të 3 Nëntorit për kryetar të Mitrovicës Veriore. Por, ai nuk pranoi që të betohet për mandatin e kryetarit, sipas ligjeve të Kosovës dhe me simbolet shtetërore.

Kjo situatë bëri që Pantiç të humbasë mandatin e kryetarit të komunës dhe çoi Mitrovicën Veriore në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Përveç Pantiç, në fakt, asnjëri nga kandidatët e tjerë, të cilët garuan në zgjedhjet e 3 Nëntorit, nuk e kanë paraqitur kandidaturën në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Zëdhënësi Valmir Elezi tha se në zyrën për regjistrimin e partive politike nuk ka aplikuar asnjë kandidat, që dëshiron të garojë për kryetar të Mitrovicës Veriore. Afati i fundit për aplikim është data 29 Janar.

Top Channel kontaktoi veç e veç me disa nga  kandidatët e mundshëm dhe, në fakt, ata nuk duken të sigurt se dëshirojnë t’i hyjnë kësaj gare për të dytën herë.

Agim Deva, nga radhët e PDK-së, i vetmi kandidat shqiptar, tha nëpërmjet telefonit se nuk ka vendosur ende, pasi sipas tij tashmë është bërë e qartë nga politika se kryetari duhet të jetë serb.

Mendim të përafërt ka edhe kandidatja tjetër, Adriana Hoxhiç, e cila tha se diskriminimi, të cilin e ka ndjerë në raundin e parë, ka bërë që ta rimendojë kandidaturën për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA