Rusia liron edhe partnerin e Khodorkovsky-t

25/01/2015 00:00

Platon Lebedev, ish-partner biznesi me Mikhail Khodorkovsky, është lënë i lirë pasi kaloi 10 vjet burgim në Rusi, bëjnë të ditur zyrtarët. Lebedev pritej të lirohej në Maj, por Gjykata Supreme reduktoi dënimin e tij gjatë ditës së enjte.

Lebedev dhe Khodorkovsky u dënuan për evazion fiskal dhe mashtrim, pasi financonin partitë opozitare për të rrëzuar presidentin Vladimir Putin, i cili vetëm një muaj më parë fali edhe Khodorkovsky-n, ndryshe nga Lebedev, që nuk përfitoi “amnisti”.

Lebedev u largua nga burgu Veskaya, në rajonin verior të Arkhangelsk, rreth 22:00 me orën lokale (19:00) të së premtes, bëri të ditur një zëdhënës i shërbimit të burgjeve për median ruse “Ria Novosti”. Lebedev u lejua të dilte nga qelia, vetëm pasi burgu mori një kopje të vendimit të Gjykatës Supreme.

Të enjten, gjykatësi i Gjykatës Supreme, Pyotr Serkov, deklaroi vendimin për “lirimin e Lebedev”, pasi i reduktoi atij dënimin deri në atë pikë sa përkiste me kohën e kaluar në burg. Por, ai nuk ndryshoi një urdhër të gjykatës, sipas të cilit Lebedev dhe Khodorkovsky duhet të paguajnë 17 miliardë rubla (500 mln dollarë) të taksave të prapambetura.

Ky borxh përbën një pengesë për rikthimin e Khodorkovsky-t në Rusi, vend nga i cili u largua në Dhjetor, në drejtim të Gjermanisë. Lirimet e tyre, siç konsiderohen nga shumica, janë thjesht një masë për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar të Rusisë, përpara Lojrave Olimpike Dimërore të muajit të ardhshëm në Sochi.

Mes figurave të shquara të burgosur, që janë liruar javët e fundit, janë edhe dy gratë e grupit protestues “Pussy Riot”, të cilat ishin burgosur për shkak të një performance lutjeje “punk”, në shenjë kritike ndaj Putin, në një kishë ortodokse të Rusisë.

Lebedev kryesonte dikur “NFO Menatep”, ndërkohë që Khodorkovsky ishte drejtues i gjigantit të naftës “Yukos” si dhe njëherë e një kohë njeriu më i pasur i Rusisë. Të dy këta janë konsideruar nga grupet e të drejtave të njeriut si të burgosur politik, por Kremlini ka mohuar të ketë përdorur gjykatat për qëllime politike. Ata u arrestuan në vitin 2003 dhe u dënuan në vitin 2005 e sërish në 2010.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB