Egjipt, 30 viktima në përvjetorin e “Pranverës”

25/01/2015 00:00

Rreth 30 persona janë vrarë dhe 150 të tjerë janë plagosur në përleshjet në Egjipt, teksa vendi shënon përvjetorin e kryengritjeve të vitit 2011, që çuan në rrëzimin e presidentit Hosni Mubarak. 

Protestues rivalë, mbështetës dhe kundërshtarë të qeverisë-ushtarake, zhvilluan demonstrata në kryeqytetin Kairo. Por policia ndërhyri ndaj protestave anti-qeveritare me gaz lotësjellës dhe raportohet se në Kairo dhe Aleksandri pati arrestime.

Tensionet në Egjipt u ndezën që ditën e premte, pas akteve të dhunës që lanë të vdekur 18 persona. Qeveria njoftoi marrjen e masave shtesë të sigurisë për ditën e shtunë.

Ministri i Brendshëm Muhammad Ibrahim u bëri thirrje qytetarëve që të mos u trembeshin masave por të shkonin në evenimentet e organizuara për përvjetorin e kryengritjes.

Mbështetës të qeverisë dhe ushtrisë u mblodhën në zona të rëndësishme të kryeqytetit Kairo, përfshirë këtu Sheshin Tahrir, i mirënjohur për protestat kundër Mubarak.

Pjesëmarrësit valëvisnin flamuj egjiptianë dhe postera me kreun e ushtrisë, gjeneralin Abdel Fattah al Sisi, të cilit shumë i bëjnë thirrje që të garojë për president.

Por nga ana tjetër, policia shpërndau me dhunë protestuesit anti-qeveritarë në Kairo dhe gjetkë, duke vrarë 129 vetë. Shumica e humbën jetën në kryeqytet, ndërsa dy në qytetin jugor Minia dhe një grua në atë të Aleksandrisë.

Që në orët e para të mëngjesit të së shtunës, një bombë u hodh pas mureve të akademisë së policisë egjiptiane, në periferi të Kairos, duke plagosur një person.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB