Shoqata e Gazetarëve në Maqedoni ka reaguar kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, për dënimin e gazetarit maqedonas Tomislav Kezharovski me 2 vjet burg.

Të premten dhjetëra gazetarë u tubuan para godinës së kësaj gjykate të shkallës së dytë në Shkup, për të shprehur revoltën e tyre ndaj atij që e quajtën “vendim i padrejtë” i gjykatës për kolegun e tyre të pafajshëm.

“Për ne, liria e Kezharovskit është e pakushtëzuar. Ne jemi Kezharovski! Edhe unë jam Kezharovski. Gjykata nuk vendosi që të ndajë drejtësinë, por të bëjë hesape politike. Në vend që gjatë miratimit të vendimit të mbrojë të drejtat e një gazetari të pafajshëm, ata vendosën që të mbrojnë fytyrën e atyre që bënë hesape të gabuara para dy viteve se burgimi i gazetarëve në Maqedoni mund të kalojë lehtë”, deklaroi Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve.

Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit është shprehur edhe kryetarja e sindikatës së gazetarëve, e cila vlerëson se dënimi për Kezharovskin paraqet kërcënim për të gjithë gazetarët në Maqedoni.

“Kolegu ynë Kezharovski është i pafajshëm, ai është dënuar pa bërë asnjë faj. Gazetaria profesionale në Maqedoni është e pafajshme dhe pikërisht ajo sot po dënohet”, deklaroi Tamara Çaushidis.

Fillimisht, Gjykata Themelore ne Shkup e kishte dënuar Kezharovskin me 4 vjet e gjysmë burg, kurse pas ankimimit të këtij vendimi, Gjykata e Apelit një ditë më parë i konfirmoi atij dënim me 2 vjet burg.

Gazetari Tomisllav Kezharovski u dënua për arsye të publikimit të identitetit të një dëshmitari të mbrojtur në një rast që kishte të bënte me një vrasje.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit të Apelit ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve, që ka shprehur shqetësim të thellë për dënimin e reporterit maqedonas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA