“Deti” i plehrave nga Velipoja në Kroaci, nis pastrimi i mbetjeve në bregdet pas prurjeve të shumta
35 mijë banorë të qytetit të Cërrikut prej dekadash kanë mungesa të
theksuara në furnizimin me ujë të pijshëm. Për këtë arsye në vitin 2005
nisi investimi për ndërtimin e një ujësjellësi të ri.
Pas përfundimit të dy fazave të para ku u përdorën 91 milionë lekë nga buxheti i shtetit sërish banorët e Cërrikut s’kanë ujë sepse qeveria nuk miratoi më fonde për fazen e tretë përfundimtare.
Bashkia e Cërrikut e ka të pamundur të financojë e vetme fazën përfundimtare të projektit e cila kap vlerën e 98 milionë lekëve.
“Ngelet pa investuar faza e tretë, e cila përkon me lagjen numër tre, një lagje që ka një numër banorësh afërsisht gjysmën e numrit të banorëve të Cërrikut”, thotë kreu i Bashkisë Cërrit, Servet Duzha.
Po në vitin 2005 nisi rikonstruksioni i rrugës “Rinia” në qytetin e Cërrikut. Ndërprerja e fondeve bëri që edhe ky investim të mbesë në mes dhe që atëherë rruga është shkatërruar plotësisht.
I njëjti problem paraqitet edhe në qytetin e Belshit. Në vitin 2012 me një financim prej 55 milionë lekë nisi rikonstruksioni i qendrës së qytetit dhe rrugëve kryesore. Këtu puna ndali që në fazën e parë dhe ndërkohë që priten financime të tjera gjendja shkon drejt degradimit.
Për fazën e dytë të këtij projekti nevojiten rreth 70 milionë lekë dhe Bashkia e Belshit shprehet se me fondet e saj nuk mund të marrë përsipër një investim të tillë.
“Ne kemi kërkuar çdo vit që të vazhdojë financimi i fazës së dytë të këtij projekti edhe sepse përmbush kërkesat e qeverisë për rregullimin e qyteteve”, thotë kryetari i Bashkisë së Belshit, Asqeri Kuqa.
Bashkia e Librazhdit ndihet e paralizuar në tre projekte të saj të lëna tashmë përgjysmë. Më emergjenti ndër ta paraqitet rehabilitimi i shtratit të Përroit She i cili kalon përmes qyteti dhe argjinatura e lumit Shkumbin në zonën industriale të cilat gjatë vjeshtës shkaktoi përmbytje.
“Bashkia e Librazhdit ka disa projekte që presin fondet. Disa projekte janë lënë përgjysmë për arsye financimi”, thotë kreu i Bashkisë së Librazhdit, Shefki Çota.
Vetëm në Qarkun e Elbasanit llogariten qindra milionë lekë të shkuara dëm nga projekte të nisura dhe të lëna përgjysmë. Një shumë ndoshta dyfish më e madhe se kaq do të duhet për t’i rinisur nga fillimi këto punime. Ndërprerja e fondeve nga qeveritë duket se janë pasojë e gjendjes financare të buxhetit të shtetit ndër vite.
Top Channel