Indonezi, vazhdojnë kërkimet për gjetjen e kutive të zeza të avionit

11/01/2015 00:00

Polumbarët indoneziane mund të kenë lokalizuar kutitë e zeza të fluturimit QZ8501. Avioni i “AirAsia”-s u zhduk nga radarët në 28 dhjetor me 162 persona në bord e pas kërkimesh intensive, pjesët e tij u gjetën në ujërat e detit të Javës.

Regjistruesi i zërit dhe ai i të dhënave duket se janë mbuluar nga copat e avionit në fundin e detit.

Zhytësi e patën të pamundur t’i tërheqin, por do ta tentojnë nxjerrjen e tyre të hënën. Zbulimi tepër i rëndësishëm vjen në mesin e përpjekjeve për të gjetur trupin e Airbus-it A320-200. Aty mendohet të kenë mbetur të bllokuar pjesa më e madhe e viktimave. Deri tani, nuk janë rekuperuar veçse 48 trupa.

Shkaku i aksidentit nuk dihet ende, por avioni kishte hasur në turbulenca ajrore për shkak të motit të keq e pat kërkuar të ndryshonte rrugë përpara se komunikimi me pilotët të shkëputej.

Regjistruesit e të dhënave janë krijuar që t’i rezistojnë përplasjeve dhe zhytjes në ujë, e janë të pajisur edhe me lokatorë nënujorë që dërgojnë sinjale për të paktën 30 ditë. Gjetja e tyre është e një rëndësie thelbësore, sepse kutitë e zeza mund të ofrojnë informacion mbi momentet e fundit të fluturimit përpara aksidentit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA